Në Korçë për festat e Nëntorit, hotelet e bujtinat të rezervuara në masën 90%
Ata që kanë zgjedhur Korçën për të kaluar fundjavën por edhe festat kombëtare të fundnëntorit do të mund t`i gëzohen edhe borës që zbardhi të dielën, 27 nentor, fshatrat turistikë.
Përveç Vlorës edhe Korça mbetet destinacion për festën e Flamurit dhe Çlirimit të vendit.
Hotelet dhe bujtinat e qytetit janë prenotuar në masën 90%.
“Prenotimet e festave kanë qenë më të mira se vitin e kaluar. Kanë qenë në rritje. Shumë njerëz i kemi refuzuar” thotë një operator.
Operatorët turistikë thonë se pavarësisht rritjes së numrit të vizitorëve dhe kërkesave për akomodim çmimet nuk kanë ndryshuar.
“Nuk kemi bërë asnjë lëvizje në çmim. E kemi fituar klientin duke mos i luajtur me çmimin.”
Mes klientëve të shumtë janë ata që i kanë mbetur Korçës besnikë e rikthehen aty për çdo festë.
“Madje kanë persona që e kanë vizituar shumë herë Korçën dhe dinë kur të flenë dhe ku të hanë.”
Nga vizitorët shqiptarë qyteti juglindor preferohet më tepër në fundjavë ndërsa të huajt kërkojnë qetësinë e ditëve të javës.
“Të parët janë ato që vijnë nga Tirana që e bëjnë Korçën çdo fundjavë si kryeqytet. Po ashtu përmend edhe shkodranët. Kemi edhe trevat shqiptare, ndërsa turistët e huaj preferojnë javën.”
Vitet e fundit Korça është kthyer destinacion i çdo feste.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.