Në Itali dhe në Shqipëri, dënohen 2 herë për të njëjtin krim, apeli i avokatit

Gentian Alimadhi, avokat dhe anëtar i shoqatës së avokatëve në Itali ka një thirrje për qeverinë shqiptare dhe atë italiane, pasi sipas tij po shkelen të drejtat e njeriut.

Alimadhi thotë se qytetarët shqiptarë që kanë kryer krime në vitet 2000 në Itali janë dënuar dy herë për të njëjtin krim.

Për këtë ai i ka dërguar një letër drejtësisë shqiptare për t'i kërkuar  zgjidhje urgjente.

"Kemi verifikuar shkelje të rëndë të drejtave të njeriut, të disa personave që kanë kryer krime në vitet 2000  dhe janë dënuar nga të dyja palët, si nga shteti italian si dhe nga ai shqiptar. Dënimi i tyre është i dyfishtë. Flasim për persona të moshave 12 deri 16 vjeç. Janë dënuar në Shqipëri për fakte italiane", u shpreh avokati në studion e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në RTV Ora.

Ai pohoi se të dënuarit që kanë bërë krime në Itali janë dënuar në Shqipëri, duke iu komunikuar  nga insititucionet shqiptare  se ata e kanë shlyer borxhin dhe se nuk do ketë dënim për ta në Itali.

"Kanë mbaruar dënimin këtu. Iu është thënë mos kini merak, meqë u dënuat në Shqipëri për të njëjtin fakt, nuk do dënoheni Italia. E keni paguar borxhin që keni me drejtësinë", tha avokati.

Arsyeja sipas avokatit është se nuk ka një marrëveshje midis dy shteteve, pra midis Italisë dhe Shqipërisë që mos lejojnë dënimin e dyfishtë për të njëjtin krim.

Avokati thotë se në BE ka ligj që nuk e lejon dënimin e dyfishtë por ky i fundit nuk vlen për vendin tonë, pasi Shqipëria nuk është vend anëtar i BE-së, prandaj ai kërkon nga drejtësia e 2 vendeve që të mobilizohen dhe të zgjidhin sa më shpejt situatën.

"Momentalisht e kem i verifikuar vetëm me Italinë këtë problem. Kjo ndodh sepse Gjykata e Lartë Italiane në vendimin e fundit të shkurtit të viti të kaluar thotë: nuk mund të vuash 2 herë dënimin për të njëjtin fakt, kjo vlen në vendin tënd pra në Shqipëri, ose midis 2 vendeve të BE-së, por nuk vlen midis një vendi europian dhe një vendi që nuk është pjesë e BE-së siç është Shqipëria.

Të kategorizosh njerëzit në kategori A dhe B, kjo është një shkelje e madhe. Një njeri që vuan dënimi dy herë është shkelje.

Apeli jonë i drejtohet politikave, kjo letër nuk u drejtohet vetëm ministrisë së drejtësisë në Shqipëri dhe qeverisë së vendit pot edhe drejtësisë italiane. Në do ta çojmë deri në fund", u shpreh avokati./Ora News/

EMISIONET