Ndryshime në kriteret për veprimtarinë e operatorëve turistikë, synohet rritja e cilësisë së shërbimit
Në prag të sezonit të ri turistik në vendin tonë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimin me ndryshime për rregulloren për kërkesat dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë së operatorit turistik.
Me anë të ndryshimeve në projektvendimin: “Për disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e rregullores “Për kërkesat dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë së operatorit turistik””, nxjerrë për konsultim nga MTM, synohet rritja e cilësisë së shërbimit të ofruar nga subjektet që ushtrojnë veprimtari të operatorit turistik, nëpërmjet punësimit si drejtues teknik të një personi, i cili ka eksperiencë pune të mëparshme në fushën e turizmit.
Sipas ligjit “Për turizmin”, i ndryshuar, operatori turistik përfaqësohet gjatë ushtrimit të veprimtarisë nga përfaqësuesi ligjor (administratori) dhe drejtuesi teknik. Përfaqësuesi ligjor duhet të mos jetë një person i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale të mashtrimit, të mospagimit të taksave dhe tatimeve, të korrupsionit, apo për një vepër penale kundër moralit dhe dinjitetit të personit, brenda një periudhe 5-vjeçare, që i paraprin kërkesës për licencë;
Si përfaqësuesi ligjor (administratori) dhe drejtuesi teknik duhet të zotërojnë një diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve, ose të ketë mbaruar shkollën e mesme profesionale në përputhje me objektin e veprimtarisë së biznesit dhe të kenë një eksperiencë të mëparshme në këtë fushë.
Përveç kritereve të mësipërme, drejtuesi teknik duhet të vërtetojë se ka pasur eksperienca pune në veprimtari të tilla turistike si: agjenci udhëtimi, strukturë akomoduese, operator turistik, operator turistik detar apo udhërrëfyes turistik, apo dhe në fusha të tjera në fushën e turizmit, thuhet në projektvendim.
Ligji e detyron drejtuesin teknik të jetë i punësuar në këtë cilësi vetëm në një operator turistik.
Gjithashtu drejtuesi teknik duhet të vërtetojë se zotëron një gjuhë të huaj, nëpërmjet një dëshmie, certifikate, diplome ose një dokumenti të ngjashëm me to, lëshuar nga subjekti i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për organizimin e testimeve ndërkombëtare, në nivelin B2, ose nga institucioni i arsimit të lartë publik ose privat, që është miratuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për të ofruar programe të akredituara të gjuhëve të huaja, me vlerësim mbi/edhe notën 7 (shtatë).
Drejtuesi teknik duhet të provojë se zotëron një gjuhë të huaj të dytë, nëpërmjet një dëshmie, certifikate, diplome ose një dokumenti të ngjashëm me to, lëshuar nga subjekti i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për organizimin e testimeve ndërkombëtare, në nivelin B1, ose nga institucioni i arsimit të lartë publik ose privat, që është miratuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për të ofruar programe të akredituara të gjuhëve të huaja, me vlerësim mbi/edhe notën 6 (gjashtë).
Përfaqësuesi ligjor dhe drejtuesi teknik, në çdo rast, janë përgjegjës për zbatimin e dispozitave të rregullores. Ky projektvendimi u hartua nga strukturat përgjegjëse për turizmin pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.