Ndreca: Fundi i sistemit nuk vjen nga “shpendi heroik”, por nga reagimi popullor

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte studiuesi Adrian Ndreca, i cili në një analizë të thellë të situatës aktuale politike në vend, ngriti pikëpyetje serioze mbi rënien e sistemit të vjetër që ka qeverisur për dekada.

Duket se fundi i këtij mekanizmi politik nuk po vjen nga ndonjë lëvizje heroike e parashikuar, por nga një reagim popullor që fillimisht u duk i parrezikshëm për establishmentin.

"Ironia e fatit është se këtij sistemi po i vjen fundi jo prej ndonjë shpendi heroik si ai që kemi në flamur, po prej një shpendi që s'ka asgjë heroike, gati konsiderohet, nuk është ekzotik po konsiderohet thuajse si një shpend i parrezikshëm.

Risia e kësaj proteste mendoj se është lakimi i zullumit të përbashkët i të dy emrave Rama-Berisha, të cilët kanë fluturuar bashkë në gjithë këto vite pavarësisht se njëri në opozitë e tjetri në qeverisje.

Kanë fluturuar në krye të dy partive kryesore dhe bashkë po përfundojnë duke u zvarritur në një gjendje shumë të keqe. E ajo që kanë, mesazhi që kanë kuptuar protestuesit është se nuk kemi të bëjmë këtu, nuk kemi të bëjmë me një sistem dhe jo me dy parti apo më shumë parti.

Dhe një parti mund të çohet kundër sistemit. Sistemi vetë nuk mund të rinovohet, nuk mund të rishikojë vetveten. 

Prandaj kjo është arsyeja që edhe protestuesit shohin me dyshim çdo lloj pjesëmarrje prej partive politike në këtë protestë.

Rama ka përfunduar atë fazën e tij ngritëse, ka kohë që e ka përfunduar dhe shkëputja e tij prej realitetit, mungesa e aftësisë për me i dëgju njerëzit dhe me pa realitetin e vërtetë, e ka bërë që njerëzit sot të çohen në protestë.

Dhe protesta sigurisht që ka një karakter politik se është një akt politik, por nuk ka një karakter partiak. Shpresojmë që një të nesërme të finalizohet edhe me një organizim partiak, por po të keni parasysh këtë vrullin edhe mediatik të Ramës, patronazhistëve, të gjithë grupimit për me e delegjitimu protestën, e kuptoni mirë se çfarë, se kanë frikë prej saj", u shpreh Ndreca.

Ndiqni intervistën e plotë:

EMISIONET