"Ndërtesat po bien të gjitha si domino", Matlija: Asnjë i pandehur për shembjen e Teatrit

Avokati Dorian Matlija i ftuar në studion e RTV Ora në 1-vjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar u shpreh se Teatri Kombëtar ishte pasuri publike dhe shteti kishte të drejtë vetëm ta administronte dhe ta mirëmbante.

Matlija:" Në këtë seancë do diskutohet nëse ligji i posaçëm që u bë  më herët për përzgjedhjen e një kompanie që do ndërtojë Teatrin e ri, por dhe vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 8 maj 2020 a janë në përputhje me Kushtetutën apo jo. Kërkesa është nisur nga Presidenti i Republikës.

Në vendimin për shembjen e Teatrit ka shumë probleme ligjshmërie, sidomos për vendimin e Këshillit të Ministrave se aty filloi zanafilla e aksionit të fundit që përfundoi me shembjen e Teatrit.

Si fillim duhet të kuptojmë që pasuritë të cilat administrohen nga shteti nuk janë të gjitha të shtetit; ka pasuri shtetërore dhe publike.

Për pasuritë shtetërore shteti mund të bëjë ç'të dojë me to, kurse pasuritë publike shteti vetëm i administron, madje ka detyrimin t'i mirëmbajë."

Përsa i përket të kallëzuarve lidhur me çështjen e Teatrit, Matlija u shpreh se deri tani nuk kanë marrë përgjigje, dhe SPAK duhet të reagojë tani.

Matlija: "Ka më shumë se 22 zyrtarë të kallëzuar. Ne kemi shumë të kallëzuar, por Prokuroria filtron dhe merr ata të kallëzuar që vlejnë, mirëpo të kalonte 3 muaj dhe të mos kishim asnjë të pandehur  unë do ta konsideroja një situatë normale sepse është një hetim kompleks. Por pas 1 viti është shumë e vështirë të mendosh që thjesht nuk kemi të bëjmë me një kompleksitet. Të pakën dikush duhet të ishte thirrur për t'u marrë në pyetje, të paktën dikush duhet të ishte në hetim. Kjo pjesë nuk ka funksionuar deri tani për asnjë. Nëse ne nuk vendosim tani të veprojmë, nesër do rrezikohen shumë godina të tjera. Sa më shumë të zgjatet kjo histori aq më tepër do rrezikohet dhe një godinë tjetër dhe një tjetër, po bien të gjitha si domino."

Intervistoi Beti  Njuma, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku

EMISIONET