Ndërprerja e energjisë elektrike, Ahmeti: Presim analizën nga institucioni ndërkombëtar
Kreu i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) Petrit Ahmeti, tha sot se, “institucionet që merren me transmetimin e energjisë elektrike në rajonin tonë, janë duke analizuar fenomenin e ndërprerjes së energjisë elektrike më 21 qershor të këtij viti, që ishte një situatë e vështirë në të gjithë rajonin dhe jo vetëm në Shqipëri”.
Gjatë prezantimit në komisionin e Kuvendit, të raportit vjetor të ERE-s për vitin 2023, i pyetur nga deputeti i opozitës Luan Baçi, mbi shkakun e ndërprerjes së energjisë elektrike, Ahmeti informoi se “defektet në linjat 400 kilovolt nuk para ndodhin, ndaj dhe duan një analizë serioze kur ndodh”.
“Ne presim në analizën e këtij fenomeni, që nuk është se ndodhi vetëm tek ne, por edhe në vendet fqinjë. Ka qenë një defekt që ka ndodhur përpara me Malin e Zi dhe më pas me Greqinë”, u shpreh ai.
Ahmeti theksoi se, aktualisht institucionet që merren me transmetimin e energjisë në rajonin tonë janë duke analizuar fenomenin, sepse ende nuk dihet arsyeja se pse ndodhi kjo gjë. Ai garantoi se, ky fenomen nuk mund të jetë një problem i brendshëm që ndikon linjat e vendit.
“Selektimi i mbrojtjes tek ne, nuk gjeneron këtë fenomen edhe në rajon. Presim raportin e ekspertëve të BE për këtë defekt. Ajo që ndodhi është se ne sot morëm një informacion nga OST që brenda një kohe relativisht të shkurtër, u vendos në punë shumë shpejtë sistemi shqiptar, nga ç’u vendos në vendet e Ballkanit dhe kjo tregon një gadishmëri dhe përgjegjshmëri maksimale”, u shpreh Ahmeti, teksa shtoi se, “një analizë përfundimtare dhe e thelluar do të vijë në një kohë të dytë dhe do të vihet në dispozicion të informimit”.
Avaria e ndërprerjes së energjisë elektrike, më datën 21 qershor të këtij viti, erdhi nga linja e interkonjeksionit me Greqinë që solli efekt zinxhir në të gjithë vendin tonë.