Ndalimi i telefonave në gjykatë, shtyhet seanca e parë në Gjykatën Administrative

Gjykata Administrative shtyu seancën për padinë e avokatit, Jordan Daci, ndaj vendimit për moslejimin e celularëve brenda seancave gjyqësore. Për shkak të mungesës së gjyqtares, senaca e radhës u vendos që të mbahet me 5 tetor, ndërsa autori i padisë shprehet se ky vendim është absurd dhe i pabazuar në ligj.

Mungesa e gjyqtares u bë shkak për shtyrjen e seancës në Gjykatën Administrative për padinë që avokati, Jordan Daci, ka bërë kundër urdhrit për ndalimin e telefonave brenda seancave, përfshirë këtu edhe mbrojtësit ligjorë.

Gjyqi që do të niste në orën 14:00, u shty për në datën 5 tetor.

Avokati, Jordan Daci, u shpreh se kësaj çështje do ti shkojnë deri në fund, pavarësisht vonesave.

"Në mënyrë të pashpjegueshme gjyqtarja mungonte, edhe pse u kujdes të ishte shumë e shpejtë për rrëzimin e kërkesës për sigurim padie dhe pse haptazi e pabazuar në ligj dhe prova.Ndërkohë cakton një seancë vetë në Dhomë Këshillimi dhe nuk paraqitet.

Me sa mora vesh, edhe mundësia e paraqitjes në vijim është e kufizuar kështu që do të ishte dinjitoze në këtë rast për gjykatësen që të jepte dorëheqjen dhe të mos bëhej pengesë për një proces, i cili është proces për dinjitet."

Moslejimin e telefonave brenda seancave Daci e quajti absurd pasi në aparatet celularë kanë materiale pune, të cilat i duhen çdo avokati për të përmbushur detyrën sa më mirë.

"Telefoni sot është bibliotekë, kompjuter, databaze, kalendar e me radhë. Për çdo qytetar, i cili jeton me kohën, është një mjet pune i domosdoshëm".

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në muajin qershor ka nxjerrë një udhëzim për avokatët, por edhe persona të tjerë që marrin pjesë në seancat gjyqësore.

Sipas udhëzimit, telefonat duhet të dorëzohen në hyrje të gjykatës, pasi në të kundërt mbajtësit e tyre nuk do të lejohen të hyjnë në seanca.

EMISIONET