"Mund të jetë qëlluar nga një distancë 20-30 m"/ Drejtori i Krimeve të Rënda: Eduart Reçi nuk është vr*rë me armë të zakonshme

"Mund të jetë qëlluar nga një distancë 20-30

Drejtori i Krimeve të Rënda, Ervin Hodaj, ka folur lidhur me vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi. Hodaj tha se në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një predhë e kalibrit të vogël.

I  ftuar në "Opinion" theksoi se 52 vjeçari mund të jetë qëlluar nga një distancë 20-30 m, me një armë jo të zakonshme, që sipas tij, nuk e nxjerrin gëzhojën. 

“Ditën e djeshme rreth orës 23:00 është marrë telefonata e parë për një person të shtrirë në ambientet para pallatit, i gjakosur në kokë. Aty policia ka gjetur bashkëshorten e tij dhe banorët e pallatit. Rreth orës 04:00 të mëngjesit ai ka ndërruar jetë. Është vlerësuar maksimalisht zbardhja e ngjarjes, nuk ka pasur shumë dëshmitarë, për shkak dhe të kohës. Kemi punuar me kamerat e vendit të ngjarjes. Sot kemi punuar përsëri ku është gjetur një predhë e kalibrit të vogël, pra nuk është armë e tipit të zakonshëm. Mund të jetë e një modeli tjetër, 5.56 mm dhe dëmtimi nuk ishte shumë i madh…Nëse do e merrte në trup mund të mos kishte pasoja. Është një distancë rreth 20-30 m, janë bërë disa eksperimente hetimore. Predha është gjetur, gëzhoja jo. Këto lloj armësh nuk e nxjerrin gëzhojën, kështu që do jetë e vështirë për ta gjetur.”, tha ai. 

Hodaj shtoi se viktima nuk ka asnjë rekord kriminal, ndërsa tha gjithashtu se po trajtohen të gjitha pistat. 

“Nuk ka ndonjë të kaluar kriminale. Jemi në orët e para të zbardhjes së ngjarjes. Po trajtohen të gjitha pistat, nuk përjashtojmë asnjë! S’ka asnjë rekord kriminal në arkivat tona”, tha Hodaj.

EMISIONET