Çmontohet rrjeti/ Shpallen në kërkim dy shtetaset ukrainase dhe ruse në Vlorë
Policia e Vlorës ka goditur një “fole” prostitucioni në Vlorë, ku ka shpallur në kërkim një ukrainase, e cila së bashku me një ruse të shpallur në kërkim në një operacion të mëparshëm, shfrytëzonin dy vajza nga Ukraina.
Në kuadër të operacionit të koduar “Missed call” është shpallur në kërkim shtetasja ukrainase, M. Sh., 35 vjeçe. Burime zyrtare bëjnë me dije se kjo e fundit dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen ruse K. A., të shpallur në kërkim më 3 Shkurt, shfrytëzonin për prostitucion dy shtetase të tjera ukrainase, në një apartament në lagjen “Pavarësia”.
Apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasja ruse. Dy ukrainaset që ushtronin prostitucionin janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme.
Policia Vlorë njofton
Zhvillohet operacioni policor i koduar “Missed call”, për konstatimin dhe goditjen e rasteve të qiramarrjes së apartamenteve, për ushtrim të prostitucionit.
Punohet për kapjen e një 35-vjeçareje nga Ukraina, e identifikuar si bashkëpunëtore me një shtetase ruse, aktualisht në kërkim, për marrjen me qira të një apartamenti në lagjen “Pavarësia”, për ta përdorur për këtë veprimtari të paligjshme.
Procedohen penalisht 2 shtetase të tjera nga Ukraina, për ushtrim të prostitucionit.
Në bazë të kontrolleve të mbështetura te informacionet e inteligjencës policore, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të marrjes me qira të ambienteve, për t’i përshtatur për ushtrim të prostitucionit, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Vlorë kanë zhvilluar planin operacional policor, të koduar “Missed call”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast në këtë fushë.
Gjatë kësaj faze të operacionit “Missed call”, u identifikua dhe u shpall në kërkim, shtetasja ukrainase, M. Sh., 35 vjeçe, sepse dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen ruse K. A., të shpallur në kërkim më datë 03.02.2025, shfrytëzonin për prostitucion 2 shtetase të tjera ukrainase, në një apartament në lagjen “Pavarësia”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për 2 shtetaset që ushtronin prostitucion.
Operacioni vijon për kapjen e shtetaseve të shpallura në kërkim, si dhe për goditjen e rasteve të tjera të kësaj paligjshmërie.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.