Modeli i rrugëve të Rilindjes
By Pass-i i Vlorës është inaguruar dy herë zyrtarisht. Herën e parë rruga u hap për të eklipsuar protestën e vjetshme të opozitës dhe një javë më pas kur erdhi në Shqipëri Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Këtu nuk numërohen parakalimet që ka bërë propaganda sa herë ka qenë fushatë apo i binte rruga për në jug.
Megjithatë problemi nuk është ky. Disa i durojnë fushatat me rrugë, rritje rrogash dhe shpërblime e disa jo. Çështja qëndron se dhe 1 vit pas inagurimit By-Pass-i nuk ka përfunduar.
Rruga po amortizohet dhe ka pësuar rrëshqitje që në disa vende kanë nevojë për punime nga e para. Në gjysmën e saj nuk është hedhur shtresa e fundit e asfaltit që aksi të jetë i niveluar dhe 1 urë ende ka mbetur me pilota të ngritura por nuk është bërë tavani prej 1 viti. Aksi nuk ka sinjalistikë dhe është i rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve.
Kjo rrugë nuk ka patur kosto të larta me standardin e qeverisë Rama, por sërish ka kushtuar 80 milion euro për 29 km. Gjysma janë grante të BE-së dhe kredi nga BERZH e BEI dhe afro 20 milion euro janë dhënë nga qeveria shqiptare.
Ky aks mund të konsiderohet më i gjati për vitet që po merr për t’u ndërtuar. Nisi në 2011-n nga firma italiane Serenissima dhe pas disa vitesh ARRSH i prish kontratën për zvarritje punimesh.
Në ato vite kishte akuza nga të dyja palët, shteti se Serenissma kishte paguar shumë ryshfet me qeverinë tjetër dhe nuk kishte fonde të mjaftueshme, italianët ankoheshin se ishin pa fonde pasi kishin paguar shumë para nën dorë për qeveritarët.
E vërteta e kësaj çështje nuk doli kurrë dhe asnjë hetim nuk u hap ndonjëherë këtu tek ne. Në 2018-n, ARRSH prokuron dhe njëherë projektin dhe firmos kontratën për ndërtimin e By Pass-it të Vlorës me kompanitë Impresa Mantovani dhe Gener 2.
Impresa Mantovani zotërohet nga Serenissima Holding srl, por askush nuk pyeti në ato vite se si dhe pse u zgjodh një firmë e njëjtë që kishte lënë një mal me borxhe në Shqipëri. Rëndësi kishte të bëhej rruga.
Por rruga nuk është bërë. Kjo është një histori normale po ta shohësh me standardin e punimeve në infrsatrukturë të qeverisë Rama, por me një ndryshim: Rilindja këtu nuk është tallur vetëm me paratë tona por dhe me ato të taksapaguesve europianë. Kjo mbase mund të na ngushëllojë.