"Mjetet nga Tirana po na marrin klientët"/ Taksistët në bojkot, protesta para bashkisë në Sarandë: S'mbijetojmë dot me këtë konkurrencë

Taksistët e licencuar në Sarandë kanë ndërprerë punën dhe janë mbledhur para Bashkisë së Sarandës, duke kërkuar ndërhyrje ndaj asaj që e konsiderojnë konkurrencë të pandershme nga mjetet që ushtrojnë aktivitet taksi në mënyrë të paligjshme.
Sipas tyre, një numër i madh taksish nga Tirana, Delvina, Finiqi dhe Konispoli po punojnë në Sarandë pa respektuar rregullat, duke u marrë klientët dhe duke dëmtuar të ardhurat e operatorëve vendas.
Taksistët ankohen se prej kohësh mungojnë kontrollet në terren dhe se institucionet nuk po veprojnë për të ndalur informalitetin në sektor.
Përveç konkurrencës së paligjshme, ata ngritën shqetësime edhe për numrin në rritje të licencave të taksive. Sipas tyre, lejet po jepen pa marrë parasysh kapacitetet e qytetit dhe hapësirat e parkimit, duke krijuar vështirësi të përditshme për drejtuesit e mjeteve.
Ata argumentojnë se shumë prej taksistëve kanë bërë investime të konsiderueshme për blerjen e mjeteve, përfshirë automjete elektrike të financuara me kredi, ndërsa të ardhurat po bien për shkak të mbingarkesës së tregut.
Gjatë protestës, taksistët kërkuan një takim me kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, por nuk u lejuan të hynin në institucion. Situata solli edhe përplasje verbale me Policinë Bashkiake, e cila ndodhej në ambientet e bashkisë.


