Xhaçka në Kuvend mbron të shoqin për hotelin me 5 yje në Himarë: Po investon miliona e do të punojësojë dhjetra punonjës

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka nuk mendon se ka shkelur ligjin duke qëndruar në detyre pasi bashkëshorti i saj është shpallur invesitor strategjike me vendim të qeverisë, që ajo është pjesë e saj.

Por në fjalimin e saj, kryediplomatja shqiptare jo vetëm e mbrojti atë por sipas saj Artan Gaçi do të japë kontributin e tij duke e zhvilluar atë zonë.

Olta Xhaçka: Nuk kam asgjë për të fshehur. Nuk kam shkelur asnjë ligj, as unë as bashkëshorti, as qeveria as kryeministri. Nuk jam në konflikt interesi. E di mirë dhe kolegu që i ka hipur furtunës në gotë si kalë beteje. Bashkëshorti im zgjodhi rrugën të merret me biznes shumë përpara se të hynte në politikë e jo pse unë u bëra deputete e ministre. 

E ka nisur biznesin si emigrant në Itali, njësoj si deputeti që e ka marrë me kaq pasion këtë kauzë opozitare dhe pas 30 vitesh biznes ëhstë angazhuar me të gjitha vështirësite dhe rrisqet që paraqet sot të bëjë një investim serioz hotel me 5 yje në jug.Nuk është përfitues i asnjë qindarke nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli. 

Deputeti demokrat Agron Shehaj e akuzoi drejtpërdrejt Ministren Xhaçka që duke vendosur pushtetin në favor të bashkëshortit të saj po vjedh pronat publike. Por Xhaçka tha

Olta Xhaçka: E dini çfarë është përfituar? Si investitor strategjik nuk ka përfituar asgjë përveçse sigurisë juridike për të pasur përparësi në lidhje me kontratën e përvitshme në bashki për të vënë shezlongë përpara hotelit përkundrejt pagesës. Nënkuptoj tarifën e bashkisë. Një kontratë me kohëzgjatje 1-vjeçare që duhet rinovuar çdo vit e do ta marrë njësoj si të gjitha subjektet e tjera që do veprojnë në turizëm.

Këtë të drejtë do ta kishte edhe nëse nuk do të ishte investitor strategjik që po investon miliona e do të punojësojë me dhjetra punonjës, do të sjellë turistë e prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjërë ka përfituar të drejtën të vërë shezlona në plazh.

Agron Shehaj: Janë broçkulla. Ky dokumenti, VKM, lejimi i përdorimit të bregdetit është fakt. 

Përballë opozitës së përçarë, Olta Xhaçka sfidon opozitën që pretendimin e saj ta çojë në Kushtetuese dhe SPAK.

Agron Shehaj: "Vini këtu me xhepa bosh dhe dilni me resorte me 5 yje. Ku i gjetët milionat zonja ministre?

Olta Xhaçka: Ju ftoj ta çoni çështjen në gjykatë Kushtetuese dhenuk mund të vish sot këtu të hedhësh baltë mbi punën, djersën e tij e ëndrrat apo aspiratat për të bërë një gjë më shumë.

Në mbrojtje që ministres është vendosur edhe Elisa Spiropali që në mungesë të Kryeministrit u vendos përballë opozitës me fjalorin e shefit të saj politik.

Opozita ka depozituar në Parlament kërksën për heqjen e mandatit të deputetës së Olta Xhaçkës, dokument që do të shqyrtohet të premten në Këshillin e Rregullores dhe më pas do të votohet në Kuvend.

Fjala e plotë e ministres Olta Xhaçka në Kuvend

Po e marr fjalën sepse u bë shumë kohë që një deputet këtu, ka ngritur një çështje mbi familjen time, mbi mua personalisht, duke e shtrembëruar atë sipas oreksit. Herë si deputet i PD-së së bashkuar, herë si deputet i gjysma PD-së ku bën sot pjesë, por nuk e kisha besuar kurrë që kjo furtunë e radhës në gotë, do të arrinte një ditë të meritonte kaq shumë vëmendje.

Dhe më vjen keq për klegun që është marrë me këtë punë kaq gjatë, se do t’i jap një përgjigje shumë të shkurtër dhe sinqerisht që kjo është një çështje për të cilën nuk ke shumë çfarë thua. Megjithatë vij këtu përpara jush pa asnjë kompleks sepse nuk kam absolutisht, asgjë për të fshehur.

Përgjigja e shkurtër është që jo! Nuk kam shkelur asnjë ligj, as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as Kryeministri, askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë, askush. Këtë e dinë mirë edhe kolegët e opozitës, se ka shumë profesionistë këtu mes jush. Dhe kam dyshime por ndoshta këtë e di dhe kolegu që i ka hipur kësaj furtune në gotë, si ta kishte kalë beteje.Ose nëse nuk e dinë, do të bënin mirë që të merrnin një jurist t’jua shpjegonte sepse mendoj qëështë turp të jesh në këtë parlament, të pretendosh që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit, të bësh oponencën e qeverisë dhe të mos kuptosh ligjet për të cilat flet.

Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala ime, përballë fjalës së deputetit që e ka ngritur këtë furtunë në gotë. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese përmes vendimeve të saj, e ka thënë ILDKPI në kushedi sa raste ne vendimmarrjet e saj. Dhe një përfaqësues serioz i popullit e aq më shumë një parti apo gjysma të saj, minimumi duhet të kishte bërë detyrat e shtëpisë, përpara se t’ju merrte qytetarëve por makar dhe të kolegëve, gjithë këtë kohë dhe gjithë këtë vëmendje. Dhe për të bërë detyrat e shtëpisë do t’i mjaftonte të kërkonte në arkivat e partisë së tij, për raste të ngjashme kur të tjerë përpara tij kanë ngritur akuza për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese, e cila në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo të ministrave qëtë merren me biznes.

Bashkëshorti im ka zgjedhur që të merret me biznes dhe kjo është rruga që ka zgjedhur jo sot, por shumë përpara se të hynte në politikë dhe jo sepse ai u bë në një moment deputet dhe jo sepse u bëra unë ministre. Po qysh prej vitit 1991, plot 30 vjet më parë. Dhe kush ka jetuar dhe e njeh këtë qytet, sigurisht që e ka shumë të qartë këtë fakt. E ka nisur biznesin si emigrant në Itali, njësoj si deputeti që e ka marrë me kaq pasion këtë kauzë opozitare dhe pas 30 vjetësh është angazhuar me të gjitha vështirësitë dhe rrisqet që paraqet, sot të bëjë një investim serioz, një hotel me 5 yje në Jug.

Tani, qytetarët kur dëgjojnë z. Shehaj që ulëret për statusin e investitorit strategjik dhe konfliktin e interesit, për mashtrime, përfitime, abuzive nga publikja, natyrshëm ju lind e drejta të mendojnë se këtu po bëhet nami. Që këtu po falen prona dhe fonde dhe po shkelet ligji dhe kushedi çfarë tjetër!

Por në fakt, ky investim është një investim tërësisht privat, në një truall tërësisht privat, blerë nga pronar privat, me investitor privat. Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli. E dini çfarë është përfituar konkretisht? Se jam e sigurtë se ndoshta dhe një pjesë e kolegëve të opozitës nuk e kanë të qartë!   

Si investitor strategjik, nuk ka përfituar absolutisht asgjë,përveç sigurisë juridike. Siguri juridike për të pasur përparësinë lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për të vënë shezllon përpara hotelit, përkundrejt pagesës. Dhe me pagesë, nënkuptoj tarifat e Bashkisë, jo tarifat për klientët e hotelit.

Një kontratë me kohëzgjatje 1 vjeçare, që duhet rinovuar çdo vit pranë bashkisë dhe që do ta marrë njësoj si plot 1356 subjekte të tjera, sot që flasim, që shërbejnë në industrinë e turizmit nga Velipoja deri në Ksamil, me të njëjtat tarifa si 1356 subjektet e tjera, me apo pa status të investitorit strategjik. Se këtë të drejtë do ta kishte, edhe nëse nuk do ta kishte statusin e investitorit strategjik.

Megjithatë, me pak fjalë, si investitor strategjik, që po investon miliona, që do të punësojë me dhjetëra punonjës, që do të sjellë turistë dhe do të prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjerë, ka përfituar të drejtën të vërë shezllona në plazh.

Dhe dua ta korrigjoj pak injorancën e disave këtu. Përfitues i bregdetit nuk do të thotë uzurpues i pronës. Përfitues i bregdetit konsiderohet çdo qytetar pavarësisht shtetësisë që dëshiron të shpenzojë kohën e tij duke përfituar nga mundësitë që ofron bregdeti. Dhe në këtë rast janë klientët e hotelit në buzë të detit që kanë të drejtën e servitudës së kalimit, pra të daljes në det.

Këtë të drejtë që do ta kishte gjithsesi, edhe pa statusin e investorit strategjik siç e kanë sot sipas ligjit të turizmit, jo atij të investitorëve strategjikë, 1356 subjekte të tjera që vënë shezllonet në plazh pa status të investitorit strategjik. Mjafton të kesh një kioskë, mjafton të kesh një bar, një restorant apo një hotel dhe kjo e drejtë të lind detyrimisht për t’i dhënë vlerë investimit turistik. Nga ligji për turizmin, jo nga ai për statusin e investitorit strategjik. Por ndërkohë, statusi i investitorit strategjik i asistuar, i cili është një instrument për të nxitur turizmin elitar i jep këtyre investimeve jo thjesht të drejtën të shfrytëzojnë bregdetin se atë e ka kushdo që investon në turizëm, por edhe sigurinë juridike që në plazhin e hotelit me 5 yje që në plazhin përpara hotelit me 5 yje, për të cilin do të duhet sërish të lidhësh një kontratë qiraje çdo vit, të paguajë tarifa çdo vit, dhe të cilën do të duhet  t’ua vësh në dispozicion klientëve pa tarifë, siç ndodh në të gjithë botën, nuk do të mbijë ndonjë diskotekë a ndonjë bar i radhës, nuk do të zhvendoset ndonjë i fortë i zonës dhe nuk do të ndodhin ato abuzime sporadike që për fat të keq ndodhin me administratorët lokalë që i lidhin kontratat e qirave edhe sipas qejfit, duke shkaktuar edhe konflikte siç kemi parë dhe dëgjuar herë pas here, për fat të keq edhe me humbje jete.

Kaq është përfitimi i këtij investimi strategjik, të cilit këtë të drejtë ia njeh ligji, nuk ia dha Edi Rama, aq më pak gruaja ministre. Ndërkohë, znj. Spiropali e sqaroi shumë qartë: Ligji për investimet strategjike nuk ka për qëllim favorizimin e disave, por nxitjen e sa më shumëve dhe përmes garancive dhe incentivave që të riskojnë dhe të investojnë në një nga sektorët më prioritarë të ekonomisë shqiptare dhe të ndërtojnë atje investime që prodhojnë ekonomi dhe punësim. Sidomos në një sektor aq të vështirë dhe sfidues sa turizmi, ku padyshim që do të kishte qenë shumë më e lehtë që në atë pronë private të ndërtoheshin, si në shumë zona të tjera bregdetare njësi banimi për t’i shitur ndoshta që në themel dhe për të amortizuar shumë shpejt investimin dhe për të bërë dhe fitimin përkatës, në vend të një sfide siç është hoteleria që kërkon menaxhim dhe punë të jashtëzakonshme, ku ekspozimi financiar është më i madh, ku ekspozimi ndaj luhatjeve të ekonomisë apo të zhvillimeve politike, gjeopolitike, apo edhe të pandemive është shumë më i madh - sidomos aty lind nevoja për të përdorur mekanizma që garantojnë më së paku që investimi nuk do të shkojë dëm sepse nuk ke akses në det dhe sepse nuk ke ku vë shezllonët për klientët e hotelit.

Sigurisht që besoj se e dini panoramën. Shumë qyteza bregdetare sot të betonizuara, ku për të ndërtuar një hotel duhet të prishësh 3-4 pallate. Epo ky nuk është rasti.

Quhen investime strategjike sepse kanë një vlerë strategjike. Sepse duke investuar aty, këto biznese, këto dhjetëra biznese që e kanë përfituar këtë status, janë duke e stimuluar këtë sektor dhe duke tërhequr investimi investimin e duke krijuar kapacitetet për shpërthimin e jashtëzakonshëm që ka njohur sektori i turizmit në këto vite. Një shpërthim nga i cili përfiton i gjithë vendi.

Dhe kjo është arsyeja pse ligji i konsideron këto investime private si interes publik, pasi drejtohen dhe ndihmojnë pikërisht sektorët strategjikë që shteti nuk arrin t’i realizojë. Domethënë, më mirë që po ndërton hotel dhe s’po shet shtëpinë bregdetit, por jo mos vër shezllon për klientët se je burrë i ministres.

Dhe të hedhësh baltë mbi këtë, e të ngresh një furtunë mbi këtë, për faktin nëse je investim serioz me 5 yje dhe fiton të drejtën për të marrë me qira dhe për të vënë  shezllonet në plazhin përpara hotelit. Një të drejtë që e ka çdo subjekt turistik sot me 20 tavolina në buzë të detit. Kjo është qesharake.

Këtu nuk ka asnjë favor. Nuk ka asnjë konflikt interesi, asnjë papajtueshmëri kushtetuese. Dhe nuk e di se çfarë të mendoj, nëse e gjithë kjo është produkt i injorancës, apo i dashakeqësisë. Besoj se kjo e fundit duhet të jetë, sepse duhet vërtet një injorancë monumentale mbi ligjin për të besuar vërtet këto akuza që keni kaq kohë që i përtypni si arrat në gojë.

EMISIONET