Delta në Shqipëri, testet në Berlin konfirmojnë praninë e mutacionit

Varianti delta i koronavirusit po qarkullon edhe në Shqipëri. Lajmi është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë këtë të diel. Dyshimet e ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, të cilët para disa ditësh vërejtën disa sinjale jo të zakonta, janë konfirmuar edhe nga Instituti i Virologjisë në Berlin të Gjermanisë. Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse.

As Shqipëria nuk është më imune ndaj variantit delta të koronavirusit.

Variant i ri Covid-19 që po dominon në mbarë botën u konfirmua se po qarkullon në vendin tonë këtë të diel nga Ministria e Shëndetësisë.

Dyshimet e ekspertëve të Institutit të Shëndetit publik, të cilët para dy javëve evidentuan disa sinjale të pazakonta në mostrat e testimeve, u vërtetuan nga laboratori i Virologjisë në Gjermani.

Konfirmimi i këtij varianti përkon edhe me rritjen e infektimeve në dy javët e fundit në vendin tonë.

Vetëm në javën e fundit janë zbuluar nga kryerja e testimeve afro 200 raste.

Ndryshe nga varianti fillestar i koronavirusit, “Delta” ka të tjera simptoma që janë lehtësisht të ngatërrueshme me ato të një viroze të zakonshme.

Personat e infektuar me delta, sipas ekspertëve të shëndetësisë, përjetojnë zakonisht dhimbje koke, fyti dhe sekrecione nga hundët.

Studimet kanë treguar se delta që fillimisht u evidentua në Indi vitin e shkuar transmetohet shumë më shpejt se variantet e tjera.

Lajmi i mirë është se vaksinat, veçanërisht Pfizer dhe Astrazeneca janë efektive dhe krijojnë mbrojtje ndaj këtij infeksioni. Ndaj ekspertët e shëndetësisë bëjnë thirrje për vaksinim.

EMISIONET