Çmimi i biletave të urbanëve do të rritet, Veliaj: Të subvencionojë qeveria, kryeqyteti s’ka fuqi të reagojë

Biletat e urbanëve në kryeqytet do të rriten nëse qeveria nuk do ti japë fonde shtesë bashkisë së Tiranës. Madje Erion Veliaj paralajmëron se vlera do të shkojë deri në 70 lekë, duke e krahasuar me situatën në rajon. Në komisionin parlamentar të ligjeve kryebashkiaku nuk pranoi të flasë për zënien e hapësirave në kryeqytet me ndërtime, duke e konsideruar si një kërkesë tregu edhe pse në SPAK kanë nisur hetimet pas përgjimeve të Ndraghetës.

Kryetari i bashkisë së Tiranës ka paralajmëruar rritjen e çmimit të biletave të urbanëve për herë të dytë nga marrjen e mandatit të tij.

Janë dashur vetëm 4 javë protesta që kreu i bashkisë të harronte premtimin se shtrenjtimi i udhëtimit me urban do të bëhej për rritjen e cilësisë.

Sot, Veliaj flet për mbijetesë dhe tregon pafuqinë e reagimit.

“Kishim mundësi që të ushtronim dhe të influenconim, por nuk e kemi këtë, sepse jemi vetëm një autoritet rregullator.”

Madje për të konkretizuar se sa do të jetë çmimi i udhëtimit me urban ai jep shembuj konkret në komisionin e ligjeve.

“Nuk duam kurrsesi që të rrisim çmimin, edhe pse çmimi i një biletë në Kosovë është 70 lekë. Në Tiranë është 40 lekë.”

Edhe pse drejton bashkinë që ka më shumë financime nga buxheti i shtetit me mbi 3 miliardë lekë, Veliaj kërkon nga shteti subvencionim dhe për studentët.

“Ekziston ligj subvencioni për studentët.”

Por kryebashkiaku harron po ashtu premtimin se nuk do të lejonte pallate në qendër, pranon zënien e çdo sipërfaqeje të lirë në Tiranë.

Argumenton se pas bashkisë ishte një shesh me ferra, por në vend ta bënte lulishte zgjodhi të mbillte një objekt shumëkatësh.

“Ferrat që kishte bashkia rrotull do të kenë hotelin me 5 yje dhe ti i pari do të pish kafe.”

Nga ana e saj opozita solli në vëmendje çmimin e lartë të shitjes së apartamenteve duke kujtuar hetimin e antimafias italiane.

“Ai që u zbulua aty ishte pastrimi i parave në Shqipëri dhe me fokus në Tiranë. Sa më shumë e eksponojmë veten, krimi i organizuar e gjen. Arsye pse çmimet janë kaq të larta, nuk është kërkesa e qytetarëve sepse nuk kanë mundësi që të blejnë.”

Në fakt SPAK tashmë ka nisur prej fillimit të vitit hetimin për përgjimet e Ndraghetës, por pa dalë në konkluzion.

EMISIONET