Meta ‘mban peng’ detin, Dendias: Presim largimin e presidentit për ta çuar kufirin detar në Hagë
Jo vetëm maxhoranca, por edhe Greqia mezi e pret largimin e Ilir Metës nga institucioni i Presidencës në fund të korrikut. Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias është shprehur se çështja e detit nuk shkoi në Hagë për shkak të bllokimit të presidentit Meta.
Shqipëria dhe Greqia kanë një marrëveshje të plotë sa i përket çështjes së ndarjes së kufirit detar.
Si qeveria e Edi Ramës, ashtu edhe zyra e diplomacisë greke thonë se largimi i Ilir Metës në 24 korrik do t’i hapte rrugën çuarjes së procesit të Detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Në një intervistë për mediet helene ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias është shprehur se presidenti Meta u bë pengesë që Shqipëria të bëhej palë në gjyqin e Hagës.
Dendias: Shqipëria ra dakord me ne që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin kryeministrit. Shqipëria do të zgjedhë presidentin e ri brenda dy-tre muajve dhe e gjithë kjo do të bëhet e realizueshme.
Megjithatë, ministrja Xhaçka të enjten u shpreh se Shqipëria nuk është ende gati për t’u përballur me Athinën në Hagë, megjithëse e pranoi se presidenti është njëra hallkë që mund të çlironte nisjen e procesit.
Zonja Xhaçka tha se do të dakordësohet me palën greke dhe për të gjitha kompromiset që kërkon Gjykata e Hagës.
Një vit më parë Presidenti Ilir Meta refuzoi t’i jepte kryeministrit Rama autorizimi për të çuar “detin” në Hagë, pasi qeveria nuk i dha informacionin e kërkuar presidencës lidhur me hapat në të cilat do të kalonte ky proces.