“Bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit” Meta kallëzim penal ndaj Autoritetit: Çon dosjen e spiunëve në SPAK

Vetëm pak orë pasi bëri kallëzim penal në SPAK ndaj Autoritetit të Dosjes duke akuzuar se janë falsifikuar shkresat me qëllim dëmtimin e imazhit të tij Ilir Meta publikoi dhe shkesat e dosjes në të cilën më herët u aludua se ishte bashkëpunëtor i sigurimit. 

Madje përballë mediave ai lexoi pjesë nga teksti të dhënë nga vetë personi i prekur nga çështja duke zbardhur edhe ndryshimet.

“Ky materiali thotë se nga informacionet teknike- operative objekti FT i shpreh denoncuesit Ilir Metaj se ne do të arratiseshim etj, ky është autentiku. Kanë bërë falsifikime, këto janë gjërat më të thjeshta për t’u falsifikuar. Pas emrit të I.M kanë shtuar dhe student Ilir Metaj”- tha Meta.

Meta akuzoi se shkeljet janë bërë në bashkëpunim mes anëtarëve të Komisionit.

“Dhe për të gjithë këto shkelje të ligjit që kanë bërë ata duhet të përgjigjen penalisht”

Sipas Metës nxitimi i PS për të ndryshuar kodin zgjedhor dhe ligjin e dosjeve flet qartë, ndaj dhe kërkoi administrimin e materialeve të autoritetit nga marrja e denoncimit te diskutimet.

“Në këtë regjistër të verifikohet se kur janë kërkuar, zhvendosur  e shfrytëzuar dosjet për subjektin FT, procesverbalet e mbledhjeve të bordit, administrimin e tabulateve telefonike dhe çdo komunikim tjetër elektronik të anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve, përpara gjatë dhe pasi kanë marrë denoncimin anonym elektronik."

Teksa akuzoi dhe me emrat politikanët e përfshirë.

“Kuvendi në mënyrë të përsëritur përfshihet në skenare destabilizuese kundër pluralizmit politik të urdhëruar nga Kryeministri Edi Rama. Autoritetit është aneks i qeverisë dhe i Bashkisë së Tiranës, tashmë nuk ka më asnjë dyshim"- tha ai. 

Tashmë duket se ka nisur një përplasje e fortë mes mazhorancës dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Vetëm dy javë më parë u bë publike dhe shkresa e SPAK për nisjen e hetimeve ndaj tij.

Por edhe në atë rast ish-presidenti ka akuzuar për përdorim politik të institucioneve të drejtësisë.

Madje ai ka akuzuar Ramën për bashkëpunim me grupe kriminale duke deklaruar edhe nisjen e aksionit të protestave me qëllim zgjedhjet e parakohshme në vend.

Reagon Autoriteti i Dosjeve

Autoriteti i Dosjeve në një reagim pak orë pas padisë dhe deklaratave të Metës, thekson se garanton autenticitetin dhe integritetin e çdo dokumenti që ruhet në origjinal në Arkivën e institucionit.

Autoriteti shprehet i bindur në vlerën dhe impaktin publik të ndryshimeve ligjore të propozuara në mënyrë të përsëritur në kuvend në 2018, 2020 dhe 2022 dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor me qëllim ndalimin e kandidimit dhe të zgjedhjes për personat që kanë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit.  

EMISIONET