Mesazhe paqeje dhe shprese në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë falin namazin e Fiter Bajramit

Besimtarët myslimanë në të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë falur mëngjesin e sotëm namazin në ditën e Fiter Bajramit.

Ata kanë dhënë mesazhe shprese dhe paqeje në këtë ditë të bekuar.

Falja e namazit në Lushnjë

Besimtarët myslimanë në Lushnjë kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Fiter Bajramit.

Në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Xhamisë së Lushnjës kanë marrë pjesë shumë besimtarë.

Faljen e mëngjesit e ka drejtuar Imami i Lushnjës, Edmond Kasa, ndërsa fjalën e rastit para besimtarëve e ka mbajtur Myftiu i Lushnjës, Gramoz Blliku i cili theksoi se muaji i sakrificës është lumturi dhe devotshmëri ndaj All-llahut të Madhërishëm.

"Plotësoni ditët e agjërimit dhe pastaj madhërojeni All-llahun që të jeni falenderues. Plotësuam 1 muaj të plotë agjërimi dhe kjo si shenjë devotshmërie dhe si shenjë e plotësimit të urdhrit të ardhur nga qielli. Pas këtij urdhri të plotësuar e falenderojmë Atë i cili është një dhe vetëm Ai meriton lavdet dhe vetëm Ai meriton të lartësohet.  Fiter Bajrami është kurora e një muaji të bekuar, e një muaji të veçantë."

Falja e namazit në Berat

Besimtarët myslimanë në qytetin e Beratit kane falur namazin  e Fiter Bajramit mëngjesin e sotëm.

Namazi është falur ne pedonalen "Republika" të qytetit të Beratit .

"E lavdërojmë dhe e falenderojmë Zotin prej mirësve të tij që na zgjodhi dhe na veçoi."

Falja e namazit në Korçë

Besimtarët myslimanë këtë të enjte festuan Fiter Bajramin.

Në Korçë ceremonia e kësaj feste u mbajt përballë xhamisë "Iljaz Bej Mirahori".

Myftiu i Xhamisë ka uruar gjithë besimtarët për paqe dhe harmoni mes njëri tjetrit.

"I përjetshmi, i pandryshueshmi është vetëm Zoti i madhëruar. Kërkimi i faljes duhet të shoqërojë besimtarin në çdo pjesë të jetës. Çdo njeri, çdo qenie e gjallë njerëzore është gabimtar, por më i miri i gabimtarëve është ai që pendohet. Të gjithë kanë nevojë për pendim dhe kthim tek All-llahu."

Edhe besimtarët myslimanë kanë uruar në këtë festë të shenjtë për bashkim, dashuri dhe falje.

"Urimi im është sa më  shumë gëzim, lumturi dashuri në familje dhe afrimitet. Sa më shumë afrimitet me të varfrit, sakrificë, në këtë ditë duhet të gëzohen të gjithë."

Fiter Bajrami vjen si përmbushje e muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë së cilit besimtarët privohen nga ushqimi dhe uji që prej lindjes së diellit e deri në perëndim të tij, një sakrificë që dëshmon besimin ndaj zotit.

Falja e Namazit në Durrës

Besimtarë të shumtë kanë falur namazin në këtë ditën edhe në qytetin e Durrësit.

Ata i kanë drejtuar lutje All-llahut në këtë ditë të shenjtë për komunitetin mysliman.

Falja e namazit në Fier

Ne xhaminë e Fierit , pas agjërimit të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë sot festojnë festën e Fiter Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit besimtarët kanë falur Namazin ne Xhamine e qytetit.

"Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve. Familja është e ardhmja e një kombi. Sa më e shëndoshë të jetë familja, aq më e ndritur do të jetë e ardhmja e kombit tonë.

Le të shërbejë kjo festë për të larguar brengat, mëritë dhe le të mbjellim virtytin e dashurisë dhe mirësisë. Zoti ju dhëntë mirësi dhe na i pranoftë agjërimin."

Falja e namazit në Elbasan 

Këtë mëngjes, edhe ne Elbasan mijëra besimtarë myslimanë kanë mbushur sheshin “Gensher” për ceremoninë e faljes së namazit.

Këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar pandemik me kufizime të forta, besimtarët u lejuan të grumbullohen në shesh, aty ku u vërejt një pjesëmarrje e lartë e tyre. Ligjërata për të gjithë besimtarët u mbajt nga myftiu Agim Duka i cili foli për simbolikën e Fiter Bajramit .

"Feja Islame është ngritur mbi disa kolona dhe pa këto nuk mund të kishte islam. Shtylla e parë është se nuk ka Zot tjetër dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij.  Njeriu është i nënshtruar ndaj All-llahut të madhëruar. Shtylla e dytë është namazi që mban lidhjen mes njeriut dhe All-llahut. Shtylla e tretë është dhënia e zeqatit, është për ata njerëz që kanë mundësi financiare të japin. Lusim All-llahun që ta largojë këtë  pandemi në këtë ditë kaq të madhe."

Entuziastë janë shprehur edhe besimtarët të cilët këtë vit kanë mundur ta falin në ambient të hapur bashkë Fiter Bajramin. Ata janë shpresplotë se këtë vit do t'i kthehemi normalitetit , duke iu referuar pandemisë e cila prej më shumë se një viti kërcënon mbarë globin.

"Është një kënaqësi e jashtëzakonshme në këtë ditë të bekuar që njerëzit sikurse lulet në pranverë, çelën sot në këtë ditë. Në  këtë ditë të bekuar shpresojmë që e ardhmja për të gjithë do të jetë e shndritshme."

Fiter Bajrami konsiderohet si një prej ngjarjeve dhe festave me te rëndësishme ne kalendarin islam. Pas një muaji agjërimi dhe sakrifice, besimtaret mysliman kremtojnë një ditë që simbolizon shpresën.

Falja e namazit në Vlorë

Besimtarët myslimanë janë mbledhur mëngjesin e sotëm edhe në qytetin e Vlorës dhe kanë dhënë mesazhe paqeje dhe shprese në këtë ditë të bekuar.

Falja e Bajramit u bë në qendër të qytetit të Vlorës, në "Xhaminë e Plumbit."

"Të mos e nënçmojë veten e tij duke u dhënë pas gjynavehe dhe veseve. Të jemi të sinqertë për hir të Zotit, jo për sy e faqe të njerëzve. Një nga sëmundjet e mëdha nga e cila vuan bota sot është hipokrizia."

Falja e namazit në Shkodër 

Në qytetin e Shkodrës ceremonia është zhvilluar në Xhaminë kryesore Ebu Beker e udhëhequr nga myftiu Muhamed Sytari.

"Zoti e mëshiroftë atë njeri që largohet prej përtacisë dhe papunësisë, shpëton prej mjerimeve, e kryen plotësisht atë që i kërkon edukuesi. Asnjë shpirt s'ka për të vdekur pa plotësuar riskun dhe kohën e fundit të jetës së tij.

 

EMISIONET