Me BE apo Turqinë? Rama: Ne jemi me Shqipërinë, nuk jemi për zgjedhje këtej apo andej. Erdogan e duartroket

Kryeministri Edi Rama deklaroi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë nuk kanë pse të shqetësojnë askënd, përfshirë Bashkimin Europian.

Ai tha se kjo nuk është një çështje zgjedhje apo pozicionimi të njëra apo tjetra palë.

Pyetje: Mbështetja që i keni dhënë Shqipërisë nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër në rajonin e Ballkanit. A duhet të shqetësohet BE për këtë vëmendje tuajën ndaj Shqipërisë dhe a merrni diçka mbrapsht ju si Turqi nga ky investim? Sepse aludohet shpesh për marrëdhëniet tuaj me kryeministrin  e Shqipërisë. Edhe vëllai ka një kufi ku merret borxhi dhe më pas duhet t'ia kthesh mgrapsht. A është marrëdhënia e Shqipërisë me Turqinë në këtë pikë?

Rama: Duke ndjekur sot rrugës në kthim nga Laçi disa komente më bëri përshtypje dhe për të qeshur komenti i një qytetari i cili thoshte " shqyr që nuk je mysliman se kaq shumë sa rri me presidentin e Turqisë, po të ishe mysliman kush e di çdo të të thonin ata të BE".Në fakt nuk jam mysliman, jam katolik, gjysmën më të mirë e kam myslimane por unë nuk besoj se kushdo qoftë në Shqipëri apo në BE duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale. Edhe në kohën kur Shqipëria ishte një vend  shumë i mbyllur, prapë marrëdhënia me Turqinë ishte aty si vazhdimësi e një tradite. Ndërkohë kur vjen puna marrëdhënia ime me Presidentin Erdogan nuk ka asgjë për tu shqetësuar, përkundrazi janë për të qeshur shumë ato që thuhen, çuditërisht thuhen jo vetëm nga konspiracionistë këtu por edhe nga njerëz seriozë edhe në hapësirën e BE. E vërteta është se kanë disa gjëra që nuk zhbëhen.

Nuk di një qeveri tjetër përveç qeverisë së presidentit Erdogan, asokohe kryeministër i Turqisë, që të jetë mbledhur në sesion të jashtëzakonshëm për të ndjekur direkt punimet e parlamentit të Kosovës dhe për ta njohur Kosovën në mbledhjen e qeverisë së vet si shtet sovran dhe të pavarur në atë moment që votoi parlamenti i Kosovës, këtë e ka bërë zotëria që është në krahun tim këtu. Ashtu sikundër përtej të gjitha teorive të konspiracionit mendoj që roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm dhe padiskutim një rol konstruktiv në funksion të paqes. Të gjitha hijet e hedhura mbi Turqinë apo Presidentin rezultojnë të jenë filma të imagjinatës dhe të interpretimeve të bëra por që nuk gjejnë përputhje në realitet.

Që të vijmë te Shqipëria, e vërteta është se jemi takuar shumë shpesh, ka qenë privilegj dhe është privilegj që unë kryeminstri i një vendi të vogël, pavarësisht gjatësisë, të marrë kohë kaq shpesh nga Presidenti i Turqisë.Kurrë, asnjëherë nuk jam ndjerë në bisedë si përballë dikujt që të jep leksione dhe kam parë nga këta, që të jep receta të gatshme sesi bëhet puna, apo për më tepër që të vërë në pozita të vështira duke kërkuar gjëra që ti mund të mos kesh dëshirë fare ti dëgjosh, asnjëherë. Përkundrazi, respekt maksimal.

Të gjithë e shikojnë se këto janë marrëdhënie që interes kanë, kanë interes patjetër, një interes shumë të madh, që transfomimi në realitet i atyre fjalëve që i keni dëgjuar shpesh nga Presidenti. Mbase nuk e kam thënë asnjëherë kaq hapur dhe mbase nuk do të duhet ta them më, por në arenën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare nuk është e shpeshtë të takosh njerëz që po-në e kanë po, jo-në e kanë jo, nuk është e shpeshtë të takosh njerëz që nuk kanë përmbajtje plastike por që janë prej mishi, prej gjaku dhe që thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë dhe një nga këta njerëz është presidenti Erdogan. Nuk kam dëgjuar në takime me të kokë më kokë asgjë që nuk e kam dëgjuar publikisht dhe prandaj mendoj që këtu ka vetëm të mira jo vetëm për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë por dhe për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE, por edhe për marrëdhëniet midis rajonit dhe BE.

Mos ta harrojmë asnjëherë që BE pa Turqinë do të ishte në një situatë që mund të mos i ngjante fare asaj që është sot, për keq. Turqia është një valvul e pashmangshme,e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme sigurie për BE dhe këtë e kam thënë dhe në NATO dhe në Bruksel, e kam thënë në të gjitha takimet e mia bilaterale, e them dhe sot sepse kjo është e vërteta. Ju them të gjithë shqiptarëve që sa herë bëhen këto takime dhe ndahen midis jemi me Turqinë apo BE, u them jo, ne jemi me Shqipërinë.

Pikërisht pse jemi me Shqipërinë jemi miq të ngushtë me Turqinë, jemi dhe aleatë strategjikë me BE dhe SHBA, kemi dhe partnerët e tjerë. Nuk jemi këtu për të bërë një zgjedhje o këtej, o andej. Zgjedhja jonë është shumë e qartë, Shqipëria. Po e mbyll me një fjalë të presidentit Erdogan që ma përsërit shpesh."Në fund të ditës çdo vendimmarrje e jotja është për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk është as për Turqinë dhe as për të tjerët".

 

EMISIONET