Mbyllja e shkollës turke u firmos në Nju Jork? Zhulali: Ramës mund ti jetë kushtëzuar takimi me Erdogan
Në harkun kohor të një javë dy institucione jopublike të shoqërisë “Turgut Ozal” dhe fondacionit “Gulistan” janë urdhëruar të mbyllen nga qeveria me argumentin se ushtrojnë veprimtarinë në ambiente të palicencuara nga MAS.
Ilda Zhulali, eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se ky është një vendim arbitrar që vjen në një kohë kur procesi mësimor ka ditë që ka filluar.
Zhulali: Lajmi i djeshëm për mbylljen e shkollës dhe kopshtit nuk është një lajm i mirë për komunitetin e nxënësve dhe pridërve, por as për qytetarët shqiptarë sepse është një vendim arbitrar i marrë në kushtet kur shkolla ka filluar. Ka diçka që nuk shkon. Fakti që ky vendim vjen ndërsa Rama ndodhet në Nju Jork ku zhvillohet Asambleja e Përgjithshme në Kombet e Bashkuara dhe aty takohen të gjithë liderët e shteteve me njëri-tjetrin ndoshta kryeministrit Rama mund ti jetë kushtëzuar një takim me presidentin Erdogan me një vendim të tillë se ndryshe nuk mund të shpjegohet një vendim kaq arbitrar dhe i ngjan pak atij qëndrimit të zëvendëskryeministres sesi na doli kjo shkolla turke si një mister.
Si një ish-nxënëse e gjimnazit turk, Zhulali nënvizon për Rtv Ora në një intervistë me gazetaren Beti Njuma se shkolla ka rreth 30 vite që ushtron aktivitetin në vendin tonë.
Zhulali: Shkolla turke ka gati 30 vjet që është e hapur në Shqipëri. Unë i përkas brezit të parë të nxënësve që kanë mbaruar shkollën "Mehmet Akif" në Shqipëri. Kolegji turk është një nga shkollat më të mira, ka përgatitur breza të tërë nxënësish që kanë shkëlqyer kudo ku kanë shkuar dhe kanë përbërë krenarinë jo vetëm të shkollës por dhe Shqipërisë. Një fatkeqësi e madhe për arsimin dhe cilësinë e arsimit në Shqipëri. Po të shikosh vendimin e qeverisë nuk e ka arsyetimin brenda, është dhënë gojarisht nga ministrja Kushi dhe pastaj me një cicërime nga Rama. Kjo mesa duket për të shmangur çdo betejë ligjore me Kolegjin turk dhe Fondacionin Gylystan.
Por më të rëndë situatën sipas saj e bën transferimi i një konflikti të brendshëm të Turqisë në shtetin tonë.
Zhulali: Edhe më e rëndë është zhvendosja e një problemi të brendshëm që ka Turqia në territorin shqiptar. Shqipëria nuk ka pse të bëhet mbartëse e një lufte politike të brendshme që zhvillohet në Turqi. Ne jemi një vend sovran. Jemi të interesuar për marrëdhënie shumë miqësore me Turqinë dhe këto marrëdhënie shtrihen përtej kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan. Miqësia shtrihet mes popujve dhe vendeve, ka një trashëgimi dhe do vazhdojë. Ky moment përbën një pikë goditje për këto marrëdhënie.
Për eksperten e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo është pasojë e personalizimit të marrëdhënieve nga ana e kryeministrit shqiptar.
Zhulali: Rama filloi flirtin e parë të vendosjes së një marrëdhënie personale me presidentin Erdogan duke i bërë dëm marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Fillimisht ai kopjoi një moto të politikës së jashtme turke "zero probleme me fqinjët" dhe pse mënyra si është artikuluar kjo politikë për Turqinë është krejt e ndryshme nga ajo çfarë e rrethon Shqipërinë. Më pas kemi parë një intensifikim të raporteve Rama-Erdogan.