Mbyllja e kolegjit "Mehmet Akif", PD: Akt taliban i Edi Ramës. Fton qytetarët të solidarizohen në protestë

Mbyllja e kolegjit "Mehmet Akif", PD: Akt taliban i Edi Ramës.

 PD solidarizohet me protestën e nxënësve dhe prindërve të shkollës "Mehmet Akif".

Në një deklaratë për median deputetja demokratke Albana Vokshi e quajti mbylljen e shkollës “akt taliban i Edi Ramës për qëllime të pastra politike si në kohën e diktaturës”

“Edi Rama, si një ajatollah, ka detyruar dy gra në qeverinë e tij, të firmosin për mbylljen e një gjimnazi dhe të një kopshti me 225 fëmijë në Tiranë. Prindërit dhe nxënësit e shkollës të mbyllur në urdhër të Edi Ramës, në protestën e tyre deklarojnë se urdhri nuk ka lidhje me plotësimin e standateve ligjore, siç ministrja pretendon.  Përfaqësuesit ligjorë të shkollës thonë se kjo shkollë i ka plotësuar të gjitha detyrimet ligjore. 16 medalje ari dhe një dekoratë e firmosur nga vetë Edi Rama është simbolika më e fortë që i jepet një shteti që është kundër arsimit.Ka pritur fillimin e vitit të ri shkollor për të urdhëruar mbylljen, siç pret të hapet sezoni turistik, çdo vit, për të nisur shembjet” deklaroi Vokshi

Partia Demokratike e dënon aktin e Edi Ramës dhe I bën thirrje të tërheqë vendimin.

“Ajo që po ndodh me kolegjin Mehmet Akif nuk është mbyllje, por shembje. Jo vetëm e një shkolle, por e filozofisë së pluralitetit, që duhet të udhëheqë një shtet modern europian. I bëjmë thirrje Edi Ramës të tërheqë urdhrin taleban për mbylljen e një shkolle dhe kopshti fëmijësh, dhe t’i japë fund sjelljes me dy standarde, ku ditën bën si liberal dhe natën sillet si ajatollah.

Gjithashtu PD fton qytetarët të solidarizohen me protestën

"Ju bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë me fëmijët, mësuesit dhe prindërit e shkollës Mehmet Akif për të ndaluar këtë akt taleban të Edi Ramës. Një shkollë e mbyllur është një shpresë më pak. Një shkollë e mbyllur nga qeveria për qëllime politike, është akti i fundit përpara vendosjes së diktaturës!

Koha kur merren vendime arbitrare, të pambështetura në ligj, është orë e zezë për Shqipërinë. Ne theksojmë se një qeveri e tillë nuk është e popullit shqiptar, por e interesave të ngushta, të brendshme e të huaja.”

EMISIONET