Në pritje të Erdogan, një çarter me delegacionin turk zbret në Rinas, ka dhe qytetarë po e presin me flamuj turq

Ka mbërritur në Aeroportin e "Rinasit" një çarter me delegacionin turk që do të shoqërojë Presidentin turk Erdogan, i cili do të zhvillojë një vizitë 10 orëshe në vendin tonë, ditën e sotme 17 janar.

Ora News mëson se avioni është ulur rreth orës 09:12 në Rinas, ndërsa kryeministri Rama ndodhet atje prej orës 09:10 në sallën e delegacioneve duke e pritur Presidentin turk.

Pas mbërritjes, dy delegacionet, ai i Shqipërisë dhe Turqisë së bashku me Erdogan dhe Ramën do të udhëtojnë në Laç ku do të dorëzohen banesat e rindërtuara nga tërmeti të financuara nga qeveria turke.

Ka edhe qytetarë të cilët kanë dalë në aeroport për të pritur presidentin dhe valëvizin flamurin turk.  

Investimet turke 

Presidenti ditën e djeshme, para mbërritjes në Shqipëri është shprehur se synimi është rritja e investimeve të Turqisë në Shqipëri. 

Erdogan: Synimi ynë është që ta çojmë në 1 miliardë dollarë vëllimin e tregtisë dypalëshe. Turqia ka investuar në Shqipëri mbi 3,5 miliardë dollarë, përfshirë shërbimet kontraktuese.
Në Shqipëri operojnë mbi 600 kompani turke, duke e bërë vendin tonë si investitorin më të madh në Shqipëri, ku përveç të tjerave janë punësuar mbi 15 mijë shqiptarë.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes në Aeroport që do të zhvillohet në orën 09:30, Erdogan do të niset drejt Laçit ku do të inaugurojë 500 banesa të rindërtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 me financim të qeverisë turke.

Më pas, presidenti do të vizitojë Tiranën ku do të firmosën një sërë marrëveshjesh të përbashkëta me Shqipërinë dhe në orën 15:00 do të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Marrëveshjet që pritet të firmosen sot: 

1. Një marrëveshje bashkëpunimi do të jetë ndërmjet Agjencisë Anadolu dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

2. Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë.

3. Protokoll Bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Arkivit Shtetërore Turqisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit.

4. Memorandum mirëkuptimi për Bashkëpunimin në Fushën e Rinis dhe Sporteve ndërmjet ministrisë se Turqisë dhe asaj shqiptare.

5. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet ministrisë së jashtme të Turqisë dhe asaj shqiptare për bashkëpunimin në fushën e protokollit.

6. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme Shtetërore të Operas së Baletit dhe të ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe Ansamblit të Operas dhe Baletit dhe Folklorit shqiptar.

7. Memorandum mirëkuptimi në fushën e menaxhimit të Fatkeqësive ndërmjet Drejtorisë së Emergjencave dhe Ministrisë së Brendshme të Turqisë.

EMISIONET