Mbante 2 mln lekë në shtëpi, i moshuari që u vra në Mallakastër ishte grabitur 6 muaj më parë

Mbante 2 mln lekë në shtëpi, i moshuari që u vra në
Ne foto nga e majta në të djathtë: Ervis Halimi, Musa Gudo

I moshuri Çaush Shehaj, ndodhej në gjumë kur në datën 19 nëntor 2022 është sulmuar dhe goditur disa herë me shtratin e automatikut, duke i shkaktuar plagë, të cilat i kanë sjellë vdekjen në ambjentet e spitalit të Fierit.

Kjo ishte hera e dytë që banesa e Shehaj, sulmohej për tu grabitur, pasi rreth 6 muaj më parë, persona të maskuar kishin hyrë në banesën e tij, duke marë prej andej një shumë të vogël financiare dhe armën e gjahut çifte, që 89-vjeçari e posedonte me leje nga policia.

 

I moshuari mbante në banesë një shumë prej 2 milion lekë dhe për këtë gjë është porositur dhe nga nipi i tij, që të largonte nga banesa sasinë e parave.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Nisur nga kjo këshillë, Çaush Shehaj, i ka larguar lekët nga shtëpia duke ja dhënë në ruajtje krushkut të vet. Por 6 muaj nga grabitja e parë, sërish dyshohet se personat e njëjtë që kanë marë pjesë në sulmin e dytë, janë 3 personat e arrestuar një javë më parë.

Për këtë ngjarje policia dhe prokuroria e Fierit kanë identifikuar si autor të krimit Ervis Halimin, Musa Gudon dhe Fiorildo Çepele.

Mesnatën e 19 nëntorit 2022, këta persona kanë pasur role të ndara, ku Çepele ka qëndruar shofer në makinën e tyre “Benz-Mercedes” dhe dy shokët e tij të tjerë kanë hyrë të armatosur, në banesën e të moshuarit.

Para se të kryenin krimin e rëndë, tre personat së bashku me të dashurën e Musa Gudos, kanë darkuar në një restorant në fshatin Portëz.

Mandej Halimi, Gudo dhe Çepele, kanë vënë në zbatim planin e sulmit për të grabitur banesën e Çaush Shehaj.

Ky i fundit ndodhej në gjumë kur është goditur mizorisht, ndërsa dy personat Ervis Halimi dhe Musa Gudo, i kërkonin se ku i kishte fshehur paratë e mandej e kanë lidhur në fytyrë me qese.

Për shkak të kësaj situate, i moshuari ka humbur ndjenjat ndërsa banorët e fshatit e kanë gjendur në mëngjes me shenja jete, duke e transportuar me urgjencë në spital.

Prokurori i çështjes, Petrit Vukaj së bashku me dy oficerë kanë shkuar në ambjentet e spitalit të Fierit, ku janë përpjekur të marrin dëshminë e Shehaj.

Për shkak të gjëndjes jo të mirë shëndetësore, Shehaj me vështirësi dhe duke belbëzuar ka pohuar se:“…ishte në gjumë me gruan e tij në shtëpi, dhe rreth orës 02:00 të natës, ka hyrë në banese një person djalë i ri, me maskë në fytyrë, me armë automatik në dorë, i cili e ka goditur disa herë në kokë, trup me armë, duke i thënë lekët, lekët, ku i ke fshehur.

Ai kontrolloi dhomën mori disa lekë të vogla dhe iku. Ai nuk e njohu kush ishte pasi ishte me maskë në fytyrë…”.

Në dosjen hetimore thuhet se: ”...i moshuari Çaush Shehaj, belbëzonte dhe iu vu maska në fytyrë për frymëmarrje, pasi gjëndja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe u kërkua edhe nga ana e mjekëve, të lihej i qetë…”.

Pas disa orësh 89-vjeçari ka ndërruar jetë në ambjentet e spitalit të Fierit.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET