Mashtrimi me mikrokreditë/ Prokuroria zbërthyen skemën, 9 masa sigurie për administratorët

Prokuroria e Tiranës ka zbërthyer një skemë mashtrimi të kredidhënies duke kërkuar masat e sigurisë arrest me burg për 5 persona, ndërsa për 4 të tjerë arrest shtëpie.

Hetimet kanë nisur mbi bazën e një kallëzimi penal të Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumëtotale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% dhe totali i kamat vonesës ligjore sipas normës në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.

Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.

Në pranga kanë përfunduar Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Arben Meskuti, ndërsa po punohet edhe për kapjen e Alban Kotes.

Arrest shtëpie është kërkuar për Kejda Seferi, Jorsida Dervishi, Elda Ibro dhe Jorsida Dervishi, masa të cilat janë ekzekutuar nga policia.

EMISIONET