Manastirliu: 2000 mësues ndihmës do të mbështeten me rritje page dhe programe kualifikimi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, vuri në qendër të vëmendjes kontributin jetësor të mësuesve ndihmës në arsimin dhe zhvillimin e fëmijëve me aftësi të veçanta.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për të përfshirë mësuesit ndihmës në sistemin arsimor parauniversitar, duke arritur një raport mësues-nxënës që respekton standardeve evropiane të arsimit.

“Dhjetë vite më parë nuk mendonin se do të kishim 2000 mësues ndihmës në sistemin parauniversitar, përfshirë edhe atë parashkollor.

Sot vetëm në shkollat tona në arsimin parauniversitar numërojmë më shumë se 1800 mësues, të dedikuar për fëmijët specialë.

Rritja e numrit të mësuesve ndihmës në shkollë ka bërë gjithashtu të mundur rritjen e besimit të prindërve, për të na besuar fëmijët e tyre përgjatë një procesi edukativ dhe arsimor”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Manastirliu u bëri thirrje mësuesve t’i udhëheqin, t’i drejtojnë dhe t’i mbështesin këta fëmijë gjatë rrugëtimit të tyre arsimor, por edhe të evidentojnë prirjet dhe talentet e tyre.

Për të ngritur më tej cilësinë e arsimit për këta nxënës, ministrja Manastirliu tha se mësuesit e arsimit special do të përfitojnë jo vetëm nga rritja e pagës së mësuesve, që do të shkojë 950 euro në korrik, por veçanërisht mësuesit ndihmës do të mbështeten me programe të trajnimit për të rritur profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre.

Manastirliu: 2000 mësues ndihmës do të mbështeten me rritje

EMISIONET