Makina “Range Rover” u shit si e policisë, si u përdor kurthi para kryerjes së masakrës me 4 të vdekur në Shkodër. Dumani pritet të takojë zyrtarët e policisë

Makina “Range Rover” u shit si e policisë, si u përdor

Detaje të rreja kanë dalë nga atentati mafioz i realizuar në 30 Tetor 2024 në zonën e Dobraçit (Shkodër), ku humbën jetën 4 personat Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i të moshuarve Bashkim dhe Flutura Bushati.

Makina tip “Range-Rover” e vjedhur në Durrës para se të përdorej në këtë vrasje, ka qarkulluar lirshëm në zonën e Kirasit dhe Dobraçit, duke krijuar bindjen tek banorët e zonës se i përket grupit të Operacional në Polici apo RENEA-s.

Ideja se makina përdorej nga punonjës policie për qëllime shtetërore, është ngulitur bindshëm nga banorët, pasi individët që lëviznin me këtë makinë kanë ndaluar disa banorë dhe djem të rinj në Dobraç dhe Kiras, të cilët duke ju prezantuar si “policë” i kanë kontrolluar fizikisht e më pas i kanë lënë të lirë.

Gazetari i “Ora Neës”, Elton Qyno, ka mësuar se qarkullimi i saj në publik me persona që mbanin të veshur jelekë me mbishkrimin “Policia” dhe ndalimi në rrugë i disa banorëve, ka krijuar perceptimin se vërtet kjo makinë ishte në përdorim të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Por e gjitha kjo strategji, ka qenë thjesht për maskim, duke u përdorur si “kurth” për anëtarët e fisit Lici, të cilët ditën e ngjarjes kanë dalë nga banesa e tyre me një automjet “Benz” të zi, pasi kishin planifikuar të shkonin për të darkuar në Podgoricë të Malin e Zi.

Në dijeni të kësaj lëvizje, kanë qenë dhe autorët e krimit të cilët me shpejtësi, kanë nxjerrë në rrugë të njëjtën makinë që sillej disa ditë më parë si mjet për qëllime policore.

Sipas policisë makina “Range-Rover” ka dalë menjëherë nga rrugica ku ka shtëpinë Astmer Bilali, (njëri nga hasmit kryesorë të familjes Lici në Shkodër), duke ju vënë nga pas Benzit, që drejtohej nga Hamza Lici dhe pasagjer ndodhej Arlind Bushati.

Ndërkohë një person i tretë që besohej ka qenë në sediljen e pasme, ka mbetur i plagosur. “Range-Roveri”, i “Policisë” sapo ka arritur makinën “Benz”, dy persona ka hapur zjarr nga pas me dy automatikë (rreth 38 plumba), duke sjellë thyerjen e xhamave të mjetit dhe vdekjen e dy personave që ndodheshin në makinë.

Dyshimet flasin se në makinë ka qenë dhe Ibrahim Lici, i cili ka marrë dy plumba në trup, por ka shpëtuar mrekullisht. Ai vetë besohet shumë se ka shkuar fillimisht në një klinikë private në Shkodër, ku ka marrë mjekim dhe më pas është larguar.

Ndërsa policia gjatë ditës së djeshme, ka kryer kontrolle në dy klinika private në Shkodër, por nuk kanë mundur të gjejnë prova për prezencën e tij.

Prezenca e Ibrahim Licit, u pa në vendngjarje i hutuar, teksa u filmua nga një kamera amatore, duke qëndruar në këmbë pranë trupit të pajetë të vëllait të tij, Hamza Lici.

Ndërkohë nga aktet e ekspertimit mjeko-ligjor ka rezultuar se Hamza Lici, ka marrë dy plumba, njërin në pjesën e kokës dhe tjetrin në zemër.

Ndërsa Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit zyrtarit të PD në Shkodër, ka marrë vetëm 1 plumb në kokë. Por dyshohet shumë se 1 plumb në trup ka dhe Flutura Basha, gruaja e mbetur e vdekur në këtë atentat.

Pritet që tashmë këtë çështje ta marrë në dorë prokuroria e Posaçme SPAK, pasi gazetari i “Ora Neës”, Elton Qyno, ka mësuar se për ngjarjen pritet të zhvillohet një takim mes kreut të SPAK, Altin Dumani dhe zyrtarëve të lartë të policisë, të cilët kanë hetuar rastin.

EMISIONET