“Ligjet”, Buxheti i KLP-së, kërkohen 24 mln lekë shtesë për sigurinë kibernetike
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u mblodh sot për të shqyrtuar dhe diskutuar projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.
Sipas rendit të ditës, ishte parashikuar seanca dëgjimore me institucionet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Shtetit për Pushtetin Vendor.
Fillimisht raportoi Ernis Çërava, Sekretari i Përgjithshëm i KLP-së, i cili tha se në praktikën e janar-tetor 2024, ky institucion është në 90% të realizimit të buxhetit të parashikuar.
Sa i përket kërkesave buxhetore për vitin 2025, nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (AKSK) është dërguar një vlerësim për 24 milionë lekë të reja shtesë për sigurinë kibernetike, për hardware, software dhe trajnime, bazuar mbi detyrimet që vijnë nga ligji për sigurinë kibernetike.
Buxheti total i parashikuar për vitin 2025, për KLP është 211,5 milionë lekë.