Ndihma qesharake, PD: Rama po tallet me shqiptarët, lëmoshën e tij po e shet si paketë antikrizë

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike janë të ndarë në dy kampe sa i përket përfaqësimit në parlament por edhe në nisma të ndryshme.

Por paketa antikrizë e qeverisë i ka sjellë në të njëjtin qëndrim edhe pse në seli të ndara.

Jorida Tabaku nga Kuvendi dhe Dorian Teliti nga foltorja e PD-së e cilësuan vendimin e Ramës si të pamjaftueshëm.

Tabaku: Nëse e quajmë paketë lëmoshe i bëjmë nder se paketë nuk quhet. Është thjesht një tallje e radhës, një ndryshim i radhës i buxhetit që nuk u përgjigjet nevojave.

Teliti: Kjo paketë është vetëm një rast për Edi Ramën për të luajtur thjesht rolin e bamirësit. Paketa e prezantuar dje fatkeqësisht rezulton të jetë edhe më e ulët se paketa e parë anti-krizë.

Të dyja palët sërish janë të njëjtën linjë edhe për reagimin  duke theksuar se mungesa e fondeve vjen për shkak të korrupsionit ndaj nënvizuan protestat.

Tabaku: A mund të diskutojmë për këto shifra qesharake kur nga ana tjetër vazhdojnë paguhen incineratorët. Duhet të jenë temë debati për këdo dhe besoj se i thërrasin të gjithë qytetarët për protestë.

Teliti: Bëjini vetë llogaritë se ç’mund të blejë një pensionist me 330 lekë të vjetra ndihmë që jep qeveria.

Të enjten kryeministri Rama deklaroi rritjen me 6% të pensioneve dhe pagës minimale që shkon në 34 mijë lekë.

Mbështetje do të ketë dhe për gratë kryefamiljare, të cilave u dyfishohet ndihma ekonomike.

EMISIONET