Legjitimohet protesta e banorëve të Lumasit prokuroria: E drejta e tubimit, është kushtetuese

Legjitimohet protesta e banorëve të Lumasit prokuroria: E drejta e

Prokuroria e Beratit, ka refuzuar të ndjekë penalisht rreth 20 banorë të fshatit Lumas, të cilët u referuan nga policia e këtij qyteti për tu hetuar lidhur me protestën që fshatarët e kësaj zone, zhvillonin për të mbrojtur kanionin e lumit të Sinecit.

Vendimi për mosfillimin e hetimeve, është marë nga prokurorja, Albjona Papajani, e cila në 14 qershor ka dalë në përfundimin se materiali referues i policisë së Beratit, nuk duhet të fillojë për asnjë nga veprat penale si “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Organizimit e pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Kjo pasi “…liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe pjesëmarrja në to është e garantur…”, thotë prokurorja e Beratit në vendimin e mosfillimit të hetimeve.

Më tej Papajani shton se “…qëllimi i pjesëmarrësve në tubime nuk është pengim i qarkullimit të transportit në vetvete por thjesht tërheqja e vëmendjes për problemet që banorët e zonës, adresojnë dhe synojn në të vërtet të nxisin institucionet shtetërore që të pranojnë kërkesat e tyre. Në këto raste çrregullimi i trafikut mund të konsiderohej si një efekt anësor i tubimit të mbajtur në një vend publik…”.

Në vendimin e siguruar nga “Ora News” më tej thuhet se rrugët në rastin konkret janë një nga vendet pa të cilat nuk mund të ushtrohet liria e tubimit.

Prandaj, nëse pengimi i qarkullimit është rrjedhojë e ushtrimit të një të drejte kushtetuese nuk mund të konsiderohet një veprim i paligjshëm në kuptimin penal. “...nga interpretimi logjik dhe sistematik i dispozitave kushtetuese, arrihet në përfundimin se liria e tubimit paqësor pa armë është e garantuar, dhe për rrjedhojë organet e pushtetit publik jo vetëm që duhet të respektojnë këto liri, por kanë dhe detyrimin për të kontribuar në realizimin e saj…”-thotë prokurorja.

Me këtë vendim prokuroria e Beratit, ka legjitimuar protestën e banorëve të Lumasit, të cilët protestojnë kundër ndërtimit të një ujësjellësi, që shkatëron burimin dhe kanionin e lumit Sinec. 20 banorët e fshatit që policia i çoi në prokurori për ti ndjekur penalisht, nuk kanë kryer asnjë vepër penale, veçse kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar paqësisht.

Policia e Beratit dhe kompania e biznesmenit Salillari, kanë dashur që të largojnë banorët, duke mos i lejuar të protestojnë, me qëllim ndërtimin e një ujësjellë për llogari të bashkisë së Kuçovës. Për këtë tender, banorët kanë paditur në SPAK, biznesmenin Salillari, kryebashkiakun e Kuçovës dhe drejtorin e policisë Berat, Neritan Nallbati.

 

Dokumenta bashkëngjitur

EMISIONET