Largimi i gjermanit të fundit, studiuesi: Festat bashkojnë njerëzit por për çudi 29 nëntori i ndan shqiptarët

Prej 78 vitesh çdo 29 nëntor shqiptarët nderojnë festën e çlirimit nga pushtimi nazifashist.

Sipas historiografisë shqiptare kjo datë shënon ditën e largimit të pushtuesve gjermanë nga Shqipëria, konkretisht nga Shkodra.

Përtej debatit politik dhe historik se kur u largua gjermani i fundit nga Shqipëria, me 28 apo 29 nëntor, studiuesit ngrejnë pikëpyetje për këtë datë si dita e fillimit të një imponimi politik dhe ushtarak.

Studiuesi, Xhafer Sadiku, i ftuar në Ora News me gazetarin Sebastian Zonja këtë ndarje ja atribuon arsyeve ideologjike.

Sadiku: Festat bashkojnë njerëzit por për çudi 29 nëntori i ndan shqiptarët për shkak të arsyes ideologjike, nuk ka rëndësi data se kur ka ikur gjermani. A mund ti bashkojë? Jo. I bashkojnë me kusht të dënojnë krimet e luftës në Shqipëri. Nuk e kanë organizuar komunistët luftën, e kanë përvetësuar për kolateral pushteti. Partia Komuniste u krijua me 8 nëntor 1941 por pushtimi i vendit ka ndodhur me 7 prill 1939.

Jo pak habi Sadiku shpreh edhe me klasën politike në Kosovë.

Sadiku: Nëse Shqipëria është çliruar në 29 nëntor si thonë këta, përse shkuan trupat partizane në Kosovë? Si ka mundësi që klasa politike në Kosovë të respektojnë 28 nëntorin e Shqipërisë? Me 28 nëntor trupat partizane kanë vajtur në Kosovë, me kë kanë luftuar se nuk kishte gjermanë në Kosovë. Luftuan kundër patriotëve shqiptarë masivisht.

Studiuesi thotë se rreth Ballit dhe Legalitetit ishin mbledhur elita e intelektualëve, ishin patriotë.

Por ai shton se kishte dhe partizanë idealistë që vuajtën njësoj si ballistët apo legalistët.

Sadiku: Nëse do të studiojmë numrin e partizanëve të vrarë nga partizanët është shumë i madh. Janë vrarë nga krerët e Partisë Komuniste që vepronin brenda radhëve të partizanëve. Ka një numër shumë të madh partizanësh të ekzekutuar gjatë luftës nga partizanët, janë burgosur shumë të tjerë pas luftës.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET