Rama tërhiqet nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Fasha 800 kW/h s'hyn në fuqi në tetor

Rama tërhiqet nga vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Aplikimi i fashes 800KW/h për konsumatorët familjarë nuk do të hyjë në tetor. 

“Jam këtu për tju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë, tha Rama në një videomesazh që u transmetua rreth orës 11:05.

Deklarata e plotë

"Pa dashur t’ju marrë kohë e t’ju lodh me shumë fjalë, jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë.
Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800kw, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh.

Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 Kwh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.
Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit.

Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, të cilën s’e ka krijuar qeveria, po qeveria e ka barrën ta menaxhojë sa më mirë të jetë e mundur, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kw të mos hyjë në fuqi në muajin tetor.

E ndërkohë që të gjithë duhet të jenë sa më të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë, askush nuk duhet ta verë në dyshim se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë më të mirën.

Inflacionin e ka sjellë lufta, nuk e ka sjellë qeveria, por qeveria do të jetë në krye të detyrës, që njësoj siç ia dolëm më së miri me tërmetin dhe me pandeminë, t’ia dalim edhe me këtë fatkeqësi të re që ka rënë mbi botën, e veçanërisht mbi Europën ku jetojmë."

EMISIONET