Kuvendi ndërkombëtar i Albanologjisë, kërkime të tjera po zhvillohen nga studiues të huaj

Kuvendi Ndërkombëtar i Albanologjisë ka bërë bashkë këtë të enjte studiues nga shtete të ndryshme të botës. Profesor Shaban Sinani thotë se do të ketë një tjetër konferencë për gjuhën dhe ndryshimet e saj. Ndërsa albanologët e huaj po merren me të tjera studime për artin dhe kulturën shqiptare.

Rreth 180 studiues dhe albanologë janë mbledhur bashkë në Tiranë ku u mbajt kuvendi ndërkombëtar i albanologjisë. Ky është i pari që mbahet në Shqipëri, pas afro 50 vitesh mungese dhe për 4 ditë do të trajtohen disa çështje të rëndësishme për kulturën, historinë dhe gjuhën shqipe.

Në vijim pritet që të mbahet një konferencë tjetër e gjuhës për të diskutuar ndryshimet e saj.

Studiuesi Shaban Sinani tha se shqipja e tanishme ka qenë mjaftueshëm funksionale, por mund të përmirësohet.

"Një konferencë të rëndësishme padiskutim që po, kjo gjuhë që kemi i ka dhënë provat e veta për të qenë funksionuese. Për ta përmirësuar ka mundësi," tha Sinani.

Ndërsa Mehmet Kraja, kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, foli për mbrojtjen e gjuhës shqipe me ligj, akt i cili në Kosovë nuk është i mundur.

"Në Shqipëri kërkohet që këto të marrin fuqi ligjore, në Kosovë kjo është pothuajese e pamundur për arsye kushtetuese," tha Kraja.

Albanologia italiane, Lucia Nadin veç punës së deritanishme në këtë fushë, tha se aktualisht është fokusuar te një telajo e realizuar në 1848 kur Pashko Vasa ka qenë në Venecia.

"Jo domosdoshmërisht vetëm në Kishë, ekziston një e tillë dhe do më pëlqente ta sillja këtë në Shqipëri. Një pikturë e realizuar në vitin 1848 kur Pashko Vasa vjen në Venecia. Është një telajo e shndritshme, e gjatë 2 metra e gjysmë," tha ajo.

Çështjet kryesore që pritet të diskutohen në kuvend do të jenë lashtësia dhe vazhdimësia e popullit shqiptar, gjuha shqipe në kontekstin ballkanik dhe ndikimi i historisë, ndërsa risi e diskutimeve është antropologjia.

Punimet e kuvendit të Albanologjisë do të zhvillohen deri më datë 28 nëntor.

EMISIONET