Takimi i kandidatëve të PD për primaret në Laç mbyllet me të shtëna me armë zjarri
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Laç. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit.
Të shtënat kanë ndodhur gjatë një takimi të kandidatëve të PD-së për primaret me Kryesinë.
Në mbledhjen e degës lokale të PD-së në Kurbin ka pasur një debat mes nënkryetarit të PD-së, Kastriot Marku dhe anëtarit Van Rica.
Ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe është larguar.
"Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbjedhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin. Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetasi V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar" njoftoi policia.
Fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Policia e Kurbinit po punon për kapjen e shtetasit Van Rica, 53 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, "Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.