Kulla 27 kate në Laprakë, cili trafikant droge fshihet pas 30-vjeçares Ariola Hysa, miliona euro investim me një kompani fantazmë me kapital 100 lekë
Këshilli Kombëtar i Territorit, me në krye Edi Ramën, ka miratuar lejet për ndërtimin e disa kullave të reja nëpër Tiranë, shumica e të cilave do të jenë produkt i parave të trafikut të kokainës, pasi kompanitë ndërtuese ekzistojnë vetëm në letra. Përpos të tjerave, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit për objektin: “Kompleks rezidencial dhe shërbime tregtare me 23, 25 dhe 27 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë”, me vendndodhje Sheshi Shqiponja, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “‘HE-IN Invest” sh.p.k.
Kompania HE-IN Invest, e cila do të investojë dhjetëra milionë euro për të ngritur kullat në Laprakë (Sheshi Shqiponja), është themeluar në 10 tetor të vitit 2022, pra dy vjet më parë, nga 30-vjeçarja Ariola Hysa.
Kompania ndërtuese ka si kapital 100 lekë. Ndërkaq, pronarja në letra dhe administratorja e kompanisë Ariola Hysa nuk ka ndonjë historik biznesi dhe nuk zotëron ndonjë kompani tjetër. Pra, një kompani fantazmë, me 100 lekë kapital, do të ndërtojë disa kulla, një investim dhjetëra milionë euro.
Cili do të jetë burimi i parave për realizimin e investimit? E vetmja mundësi është kredia, por bankat nuk të japin as edhe një kredi konsumatore pa një historik të konsoliduar të ardhurash apo kolateral.
Ka dyshime të forta se zonjusha Ariola Hysa është thjeshtë kamuflim dhe sa pas saj qëndron një trafikant kokaine, i cili do të pastrojë paratë e pista në ndërtim. Mbetet pêr t’u parë nëse SPAK do të monitorojë këtë rast tejet flagrant, ku dyshohet se do të tentohet pastrimi i parave të aktiviteteve kriminale në ndërtim. /Marrë nga News24