Kujdes nga rrezet e diellit, ekspozimi ndaj tyre mund të përkeqësojë sëmundjet e lëkurës
Sëmundjet që përkeqësohen më së shumti nga ekspozimi në diell janë ato që lidhen me lëkurën.
Mjekja dermatologe Blerta Gjoni thotë se djegia e lëkurës, infeksionet bakteriale apo mykotike janë vetëm disa nga problematikat që shfaqen gjatë verës.
Blerta Gjoni: Duhet të kemi kujdes që të mos kemi problematika në lëkurë. Kryesisht ato që shfaqen më shpesh dhe që vijnë drejt nesh janë infeksionet me natyrë bakteriale që I kap tek fëmijët. Ndonjëherë këto infeksione mund të përkeqësohen duke vazhduar frekuentimin e ujërave si në det ashtu edhe në pishina. Sëmundjet e tjera që mund të shfaqen më shpesh janë sëmundjet mykotike kryesisht ato që shpërthejnë prej shtimit të djersitjes. Të kujdesemi të përdorim kremra mbrojtës si tek moshat e fëmijëve po ashtu dhe tek të rriturit.
Kujdes të veçantë duhet të tregojnë ata persona që kanë nishane në trup. Qëndrimi në diell për një kohë të gjatë për ta mund të ketë pasoja të rënda.
Blerta Gjoni: Ajo që unë dua të theksoj është që personat që kanë në trup nishane duhet një përkujdesje më e madhe dhe duhet të përdoren po ashtu kremrat mbrojtës. Të shmangen përkeqësimet.
Për të shmangur dëmtimet e lëkurës por edhe problemet e tjera që shkakton rrezatimi i lartë mjekët këshillojnë që të evitohen daljen në orët e pikut, veçanërisht nga fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.