Ku do të betohet Rama? Vendimi për Metën në shtator, kur votohet edhe qeveria e re

Shkarkimin e Presidentit do ta vendosë Gjykata Kushtetuese, por kjo nuk parashikohet të ndodhë deri në muajin shtator, kohë në cilën Rama do të duhet të dalë para Metës për të formuar Qeverinë e re.

Vendimi i parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës duket se nuk do të mund të shmangë një takim të fundit mes Kryeministrit dhe Kreut të Shtetit.

Kuvendi pritet ti dërgojë Gjykatës Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e votimit në parlament me 104 vota pro.

Por pavarësisht kësaj, afati që i lihet gjykatës është së paku tre muaj, duke e çuar çështjen në shtator, kur dhe duhet të formohet Qeveria e re.

Kushtetuta përcakton se është Presidenti i Republikës që dekreton drejtuesin e partisë fituese për të formuar qeverinë.

Ashtu sikurse dekreton dhe emrat e ministrave që do të jenë në kabinet.

Një tjetër moment që i detyron palët të trokasin duart është dhe betimi para nisjes së detyrës si prej Kryeministrit ashtu dhe të ministrave.

Megjithatë tashmë mazhoranca e hodhi hapin e parë, teksa ende nuk ka një deklaratë nga presidenti Meta.

Ky i fundit, pasi festoi me artistët dibranë, këtë të enjte priti artizanët.

Duke prezantuar punimet e mjeshtrit Bujar Kardashi ka publikuar edhe një foto me përkrenaren e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

EMISIONET