Leli 60 minuta në SPAK, para hetuesve pas akuzave të Ramës: Nuk më thirrën, as nuk bëra kallzim

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli është marrë në pyetje në SPAK vetëm pak orë pas akuzave të bëra ndaj tij nga Edi Rama. Ende nuk dihen arsyet e thirrjes së kryebashkiakut të Vlorës në prokurorinë e posaçme por në qershor, KLSH gjeti shkelje në tendera dhe rekomandoi ndëshkim për dhjetëra vartës të Dritan Lelit.

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli është marrë në pyetje në SPAK të premten për më shumë se një orë.

Rreth orës 14.20 ai ka hyrë në zyrat e prokurorisë ku qëndroi për më shumë se 60 minuta.

Marrja në pyetje e kryebashkiakut të Vlorës, ndodhi vetëm pak orë pasi Edi Rama e sulmoi nga Pogradeci mbarëvajtjen e punës dhe keqmenaxhimin e bashkisë në pastrimin e qytetit të Vlorës.

Pas daljes nga prokuroria, Dritan Leli nuk ka pranuar të japë detaje nëse ka shkuar aty për të bërë ndonjë kallëzim ne strukturën e posaçme, apo është thirrur nga prokurorët për ndonjë hetim të nisur ndaj tij.

Ndërkohë mësohet se ndaj ish kryebashkiakut të Vlorës dhe disa kryebashkiakëve të tjerë kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal pas një auditimi që ka bërë në disa bashki.  

Në muajin qershor, 44 punonjës të Bashkisë së Vlorës, u gjetën përgjegjës me dokumente nga inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit të cilët kanë rekomanduar masa ndëshkuese.

8 zyrtarë, 5 prej të cilëve në rang drejtori dhe 3 specialistë janë përjashtuar nga Shërbimi Civil.

28 punonjës kanë humbur të drejtën e ngritjes në detyrë për shkak të shkeljeve që u janë gjetur, ndërsa 8 të tjerë mes të cilëve administrator të njësive kanë marrë vërejtje.

EMISIONET