Dëborë e parë në vjeshtë, ulen ndjeshëm temperaturat, reshje bore nga Korça deri në Kukës

Dimri trokiti dëborë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin. Reshjet e para nisën në jug e verilindje të vendit në lartësitë rreth 1000 metra. Aktualisht nuk ka raportime për zona të bllokuara, por vetëm për probleme të furnizimit me energji elektrike.

Kjo e enjte solli reshjet e para të dëborës në vjeshtë.

Pas mesnate, temperaturat shënuan ulje të ndjeshme në të gjithë vendin, ndërsa në jug e verilindje u shoqëruan me erë e reshje shiu.

Në lartësitë mbi 1000 metra në qarkun e Korçës, u rikthyen reshjet e e dëborës.

Këto pamje vijnë nga fshati Panarit, ku trashësia e dëborës atje deri në mesditë ishte rreth 5 centimetra.

Drejtuesve të mjeteve iu kërkohet që në këtë aks të lëvizin vetëm me zinxhirë.

Reshje dëbore ka edhe në Dardhë, Voskopojë, Lekas, Malin e Gramozit në Kolonjë dhe në Mokër të Pogradecit.

Temperaturat në zonat malore kanë shkuar deri në -2 gradë.

Në disa fshatra ka problem me energjinë elektrike, ndërsa rrugët janë të gjitha të qarkullueshme.

Edhe në zonat verilindore të vendit u shënuan reshjet e borës si në Dibër, malin e Dejës në Mat, dhe malet e Kukësit, Pukës dhe Tropojës.

Deri tani nuk ka raportime për zona të bllokuara ndërsa autoritetet vendore thonë se kanë marrë masa për çdo situatë.

Sipas parashikimeve, vendi do të karakterizohet nga alternime vranësirash që në zonën e jugut mund të sjellin reshje në formën e stuhive të shiut.

 

EMISIONET