Komuniteti shqiptar në Bolonja festime për pavarësinë

Dita e Flamurit u festua edhe në Bolonja të Italisë ku u bënë bashkë komuniteti shqiptar në këtë rajon, ai arbëresh, së bashku me autoritetet vendase.

Komuniteti shqiptar në Bolonja festime për pavarësinë

110-vjetori i Pavarësisë së Shtetit shqiptar, është festuar në një mënyrë krejt të veçantë në Bolonja të Italisë, ku komuniteti shqiptar në këtë rajon, ai arbëresh, së bashku me autoritetet vendase, u bënë bashkë në një ceremoni festive, ku morën pjesë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar italian, përfaqësues të lartë të Vatikanit, drejtuesit më të lartë lokal dhe qytetarë të shumtë.

Në këtë ditë të shënuar, u inaugurua rruga lidhëse me Villën “Pallavicini”, qendrën humanitare të drejtuar nga kardinali Matteo Xuppi.

Ky investim është i komunitetit shqiptar në Bolonja, i përfaqësuar nga shoqata shqiptare “Korabi”.

Investimi i rëndësishëm, si në vlerë materiale, ashtu edhe në simbolikën e çmuar, vjen si shenjë mirënjohjeje e shqiptarëve që jetojnë në këtë kryeqendër të vendit fqinj, ndaj kontributit të hershëm dhe të vazhdueshëm të Kardinalit Xupi për shqiptarët që zbarkuan në jugun e Italisë, pas rënies së murit të diktaturës.

Në qendrën e drejtuar nga Kardinali, gjejnë mbështetje mijëra persona në nevojë, mes tyre dhe shumë shqiptarë.

Rruga e rikonstruktuar falë investimit të shqiptarëve, ka të gdhendur në të, shqiponjën dykrenare, portretet e figurave embleme të shqiptarëve si Skënderbeu dhe Nënë Tereza, apo edhe të Kardinalit shqiptar, Ernest Troshani, pamjen e anijes Vlora, si memorial i vuajtjes së shqiptarëve, por edhe i mikpritjes së fqinjëve në anën tjetër të Adriatikut.

Drejtuesi e shoqatës Korabi Astrit Poti, në emër të komunitetit shqiptar të pas 90-ës dhe atij arbëresh foli për rëndësinë e marrëdhënieve italo-shqiptare dhe mikpritjen që u është bërë emigrantëve në këto 3 dekada, ndërsa zyrtarët italianë vlerësuan integrimin e shqiptarëve në thuajse çdo nivel përfaqësimi.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET