Kërkojnë “policë të shtrirë”, banorët përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës: Rrezik aksidentesh

Banorët e fshatrave që përshkohen nga rruga e Lumit të Vlorës ngrejnë alarmin për rrezikun e aksidenteve rrugore pasi drejtues mjetesh lëvizin me shpejtësi brenda zonës së banuar. Ata kërkojnë vendosjen “policëve të shtrirë” në mënyrë që nga rruga që presin zhvillim, të mos u çojë më parë vdekje.

E inauguruar së fundmi, rruga e Lumit të Vlorës shkurton distancën dhe  lehtëson lëvizjen nga fshatrat e Labërisë drejt bregdetit të Jonit, ndaj po njeh fluks të lartë të qarkullimit të automjeteve.

Banorët e fshatit Kotë, që përshkohet nga ky aks ngrejnë alarmin për rrezikun e aksidenteve rrugore për shkak se drejtues mjetesh nuk respektojnë kufizimet e shpejtësisë në zonën e banuar.

"Është rrugë shumë e ngushtë dhe ecin shumë shpejt makinat."

"Tabelat janë po nuk zbatohen, nuk ka polici këtu."

"Jemi shumë të frikësuar se po ndodhin aksidente.

Kjo banore e zonës tregon rastin e saj kur thotë se një mjet me shpejtësi i rrezikoi jetën.

"Mos të më tërhiqte njëri këtu, mua më shpypi makina."

Janë të vetëdijshëm që rruga e re u krijon mundësi zhvillimi, ndaj kërkojnë ndërhyrje që më parë të mos u çojë vdekje.

Zgjidhja sipas tyre janë kufizuesit e shpejtësisë në rrugën e re.

"Ne jemi të kënaqur me zhvillimin e zonës por duhen litarët."

"Të merren masa pa ndodhur aksidente, se nuk ka kuptim pastaj."

"Shumë lëvizje, shumë trafik, të paktën të bëhen ca barriera."

Rruga e Lumit të Vlorës u çel për qarkullimin në muajin korrik.

Aksi 94 km i gjatë është një alternativë e mirë për të shkuar nga Vlora në Himarë, duke shmangur Llogaranë dhe trafikun në qytet.

EMISIONET