Nora Malaj mbështet propozimin e Ramës: Gjuha shqipe të certifikohet në nivele

Ish-deputetja e LSI-së Nora Malaj gjatë një interviste në RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se sistemi i arsimit duhet parë si një e mirë kombëtare dhe jo si parcelim politik.

Sipas saj në shoqërinë e sotme kemi hapur shumë gropa të vështira ku impakti më i madh është ai social.

Malaj foli dhe për sugjerimin e bërë nga kryeministri Rama ditën e sotme në Kongresin Kombëtar të Arsimit ku u shpreh se kemi nevojë për një ridimensionim dhe standardizim të gjuhës.

Nora Malaj: Tashmë sistemi i arsimit nuk duhet parë si parcelim politik por si e mirë kombëtare. Kemi nevoja që do të vështirësohen. Nga ana tjetër kemi situata ku një pjesë e familjeve po shkojnë drejt divorcit. Kemi hapur shumë gropa të vështira ku impakti më i madh është ai social. Problemi më i madh që trajtoi kryeministri është gjuha shqipe. Unë ndihem krenare që një pjesë e studentëve të mi që kanë marrë dhe diploma në Amerikë, kur ju është dhënë fjala ata kanë kërkuar të flasin dhe në gjuhën shqipe. Është gjë e mirë që studentët tanë kanë arritur majat. Këtë krenari duhet ta kthejmë si aset për vendin tonë.

"Është gjuha shqipe që na jep mundësinë të mësojmë gjuhët e tjera. Është kthyer në një nevojë imediate kombëtare. Pasi dhe në familjen evropiane ne garojmë me vlerat tona dhe një ndër to është dhe gjuha. Ky propozim sot është në kohën që akademikët dhe të gjithë shqiptarët duhet ta shohin si çështje mbarëkombëtare. Kemi nevojë për një ridimensionim dhe standardizim të gjuhës. Dhe gjuha shqipe duhet të certifikohet në nivele."

Kryeministrit Edi Rama në Kongresin Kombëtar të Arsimit të mbajtur ditën e sotme 12 shtator deklaroi se gjuha shqipe sot është e rrezikuar. Ai ka sugjeruar që gjuha shqipe të mbrohet me provim njëjtë si anglishtja.

EMISIONET