KAS vendos rinumërimin e votave për kryetar të bashkisë së Rrogozhinës
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi sot rinumërimin fletëve të votimit për kandidatët për kryetar të bashkisë së Rrogozhinës.
Në mbledhjen e sotme KAS rrëzoi kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë“ për rivlerësim dhe rinumërimin e votave në të gjithë qendrat e votimit të zonës zgjedhore, bashkia Rrogozhinë.
Por dy anëtarë të KAS, përkatësisht Ledio Braho dhe Elvis Cefa i kërkuan komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve rivlerësimin e fletëve të votimit për këtë zonë zgjedhore.
“KAS mori në shqyrtim kërkesën për rivlerësim dhe rinumërim të qendrave të votimit të bashkisë së Rrogozhinës dhe vendosi rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë“. Megjithatë në zbatim të nenit 136 pika 3 i Kodit Zgjedhor, duke qenë se koalicioni “Bashkë Fitojmë“ ka bërë kërkesën bazuar në nenin 136 pika 1, shkronja c, dy anëtarë të KAS, i kërkojmë KQZ që në cilësinë e provës të paraqesë kutitë e qendrave të votimit për kandidat për kryetar të bashkisë Rrogozhinë që të këqyret në cilësinë e provave dhe vlerësohen fletët e votimit”, tha Ledio Braho, anëtar i KAS-it.
KAS i kërkoi KQZ-së marrjen e masave për ngritjen e grupeve të votimit dhe infrastrukturën e nevojshme. Po ashtu subjektet zgjedhore duhet të sjellin vëzhguesit.
KAS pezulloi seancën për shqyrtimin administrativ të kësaj kërkese ankimore dhe vendosi që seance të caktohet të hënën.