KARTA RINORE EUROPIANE NË TIRANË/ Shqipëria pret për herë të parë konferencën europiane
Tirana po mirëpret Konferencën e Kartës Rinore Europiane, një nga aktivitetet më të rëndësishme në fushën e rinisë në Europë. Përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe organizatave europiane diskutuan mbi mundësitë, përfitimet dhe politikat që synojnë fuqizimin e të rinjve.
Shqipëria mirëpret për herë të parë Konferencën e Kartës Rinore Europiane, një nga aktivitetet më të rëndësishme në nivel europian kushtuar politikave rinore. Konferenca zhvillohet në Tiranë deri më 12 qershor dhe mbledh përfaqësues të institucioneve, organizatave rinore dhe partnerëve ndërkombëtarë nga vende të ndryshme të Europës.
Në një konferencë për shtyp të organizuar në kuadër të aktivitetit, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe të rrjetit europian të Kartës Rinore prezantuan objektivat e këtij takimi dhe rëndësinë e tij për të rinjtë.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Sara Bodo, u ndal te mbështetja që institucioni që ajo drejton i ka dhënë Kartës Rinore Europiane dhe ndikimi që kjo kartë ka në fuqizimin e të rinjve në Shqipëri.
Nga ana e saj, drejtoresha e Qendrës Youth Act, Sabina Borakaj, prezantoi rrjetin e partnerëve dhe anëtarëve të Kartës Rinore Europiane, duke theksuar bashkëpunimin me bizneset në Shqipëri dhe në vende të tjera europiane.
Presidenti i Shoqatës Europiane të Kartës Rinore (EYCA), Miguel Perestrello, vlerësoi faktin që konferenca e 42-të e organizatës po zhvillohet në Shqipëri. Ai theksoi se ky aktivitet përfaqëson një mundësi për të forcuar bashkëpunimin mes organizatave rinore europiane dhe për të promovuar rolin e të rinjve në shoqëri.
Ndërkohë, drejtori i EYCA-s, Manel Sánchez, u fokusua te zgjerimi i Kartës Rinore Europiane në nivel ndërkombëtar dhe mundësitë që ajo krijon për miliona të rinj në Europë.

