Jep dorëheqjen gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska

Ka dhënë dorëheqjen gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska. Me ikjen e Toskës, ky institucion mbetet me 8 anëtarë nga 9 që ka në organikë. Ende nuk bëhen të ditura motive e dorëheqjes së Elsa Toskës.

Elsa Toska ka lindur më 05.06.1976 në Kavajë. U diplomuan në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2005 ka marrë titullin “Master” në Studime Europiane në Rektoratin e Tiranës, ndërsa në vitin 2012 gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Në vitet 2000-2006 ka punuar si ndihmëskomisionere/eksperte ligjore pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe në vitet 2006-2007 ka ushtruar profesionin e avokatit. Gjatë periudhës 2007-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2005 e në vazhdim është lektore e së Drejtës Administrative dhe Kushtetuese në universitete të ndryshme, si dhe trajnere e të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit.

Që nga viti 2010, është përfshirë si konsulente ligjore e jashtme në një sërë projektesh të organizmave ndërkombëtare, të lidhura me të drejtat e njeriut dhe gjyqësorin. Ka qenë pjesë e ekspertëve në 3 grupe pune gjatë Reformës në Drejtësi, përkatësisht për Amendimet Kushtetuese, Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe hartimin e projektligjit për Presidentin e Republikës.

Është autore e disa publikimeve shkencore në formë manualesh apo monografish, ku mund të veçohet monografia “Mbi kontrollin kushtetues të veprimtarisë administrative, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese”, si dhe bashkëautore e librit “Kontrolli mbi administratën publike”, 2013, tekst akademik i miratuar nga Departamenti i së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Tiranë. Prej vitit 2017 është eksperte e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës.

Është autore e disa artikujve shkencorë dhe pjesëmarrëse në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit për çështje të drejtësisë kushtetuese. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa sot (19 shtator) ajo dha doreheqjen.

EMISIONET