Java më e ftohtë e vitit! Meteorologët: Ditët e acarit të dimrit mbarojnë të enjten
Deri të enjten na presin ditë të acarta. Temperaturat do të shkojnë deri në -11 Gradë, ndërsa meteorologët thonë se kjo javë e dytë e shkurtit është më e ftohta e gjithë vitit.
Kjo javë e dytë e shkurtit që ka nisur parashikohet të jetë më e ftohta e vitit.
"Java më e ftohtë e sezonit dhe gjithë vitit.Dy javët e tjera presim që temperaturat të ngrihen dhe të jenë në vlera normale sa i përket muajit të shkurtit."
Shqipëria, nga veriu në jug tashmë është përfshirë nga një masë e ftohtë siberiane me temperatura që shkojë deri në -11 Gradë Celcius.
"Dita më e ftohtë konsiderohet dita e hënë. Temperaturat e regjistruara sot në mëngjes ishin më të ulëtat. Edhe dita e nesërme pritet të ketë temperatura pothuajse në këto nivele."
Për shkak të uljes se temperaturave, shqetësime përgjatë ditëve të ardhshme pritet të shkaktojnë ngricat.
"Kryesisht në akset rrugore të zonave malore, por nuk mbeten pas edhe qendrat e banuara, zonat urbane."
Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave thotë se reshjet e dëborës do të ndërpriten.
"Nesër presim të kemi reshje të dobëta dëbore në pjesën e verilindjes dhe më pak ose shumë lokale në pjesën e juglindjes. Ndërpriten reshjet dhe temperaturat janë nën zero gradë Celcius."
Ditët e acarta pritet të marrin fund pas të enjtes, ku do të ketë një rritje graduale të temperaturave në të gjithë vendin.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.