“Janë 300 mijë ton naftë që kontrabandohen”, Berisha: I mbulon plotësisht qeveria
Krizat e çmimeve që kanë prekur vendin prej muajsh ishin temë e diskutimit të mbrëmjes së të martës mes kryedemokratit Sali Berisha dhe ekspertëve të ekonomisë. Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se kryeministri Rama e konsideron energjinë si një mjet terrori ndaj shqiptarëve, ndaj i kërcënon ata me rritje të çmimit. Lidhur me abuzimin me çmimet e karburanteve, Berisha u shpreh se 300 mijë ton naftë kontrabandohen me lejen e qeverisë.
300 mijë ton naftë kontrabandohen me lejen e Ramës. Kjo ka qenë akuza e ngritur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në tryezën me ekspertë të energjisë elektrike dhe hidrokarbureve, teksa është shprehur se një pronar peshkarexhash, i cili disponon 3 të tilla që fut naftë kontrabandë në vend dhe i shkarkon pa u shqetësuar.
"Konsumi tek këto automjete që janë sot, duhet të jetë të paktën 800 mijë ton. Janë 300 mijë ton, që kontrabandohen, por si? Qeveria. Nafta nuk është kokainë që të futet në arka bananesh. Është i njohur zinxhiri. Ka pronar peshkarexhash që bëjnë kontrabandë nafte. Vetëm njëri ka 3 të tilla që kontrabandën naftë që i shkarkon lirshëm dhe thuhet se e takon periodikisht kryeministrin. Nuk mund të ketë kontrabandë nafte pa një mbulesë të qeverisë".
Menaxhimin që qeveria po i bën energjisë elektrike e paralajmërimin se me planin e ri qytetarëve do tu kufizohet energjia me orar e ka quajtur një “mjet terrori” në duart e Kryeministrit.
"Shqiptarët duhet ta dinë se kjo qeveri, me dokumente, ka blerë energji me 250 euro megavatin, në një kohë kur në bursë shitej me 80-82 euro. Duhet ta dinë se blejnë energji me 520 euro, kur në bursë shitet me 410 euro. Blejnë energji çdo 2 ditë dhe nuk bëjnë një tender dhe një kryeministër që terrorizon qytetarët dhe u thotë se, por nuk u gjet energji në treg do e ndërpresim. Do e ndërpresë dhe do thotë nuk u gjet. E konsideron si mjet terrori".
Në të njëjtën linjë anëtari i kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, deklaroi se shteti ka 200 milionë euro borxhe për mospagesa energjie.
"Vetëm një kompani ka borxh në operatorë të tretë mbi 650 milionë euro. Mbi 200 milionë euro janë borxh institucionet shtetërore në operatorin energjetik.Qytetarit të thjesht i hipet në kurriz, ndërsa vetë shteti ka miliona euro borxhe".
Albert Nasto, kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm nënvizoi se biznesi po dëmtohet gjithnjë e më shumë e po shkon drejt falimentit teksa harxhon 50% të fitimit vetëm për të paguar energjinë elektrike.
"Me rritjen e karburantit u mbyllën mijëra biznese, u mbyllën edhe në pandemi me mijëra. Qeveria shqiptare vazhdon të tregohet indiferente me largimin e mijëra shqiptarëve. Një nga arsyet që janë mbyllur mijëra biznese sot, janë çmimi i karburanteve dhe i energjisë elektrike, bizneset, kafenetë, restorantet, fast-food, etj. 35 deri në 50 % të fitimit të tij, biznesi e paguan energji elektrike".