Ish-deputetja Valentina Leskaj promovon librin 3 vite pas largimit nga politika

Për ish-deputeten Valentina Leskaj, politika shqiptare është e dominuar nga gjuha e urrejtjes dhe ende nuk ka krijuar kulturën e komunikimit dhe bashkëpunimit për çështje të rëndësishme.

Pas tre vitesh e shkëputur nga politika, ajo vjen për publikun me një libër në të cilin ndërthur përvojën e saj personale dhe vizionin për politikën e të nesërmes.

"Edhe pas 30 vjetësh në fakt diskutojmë për gjëra bazike të një demokracie funksionale siç janë zgjedhjet apo mungesa e dialogut politik. Për pasojë shumë gjëra që e bëjnë një politikë serioze dhe me demokraci funksionale mbeten në periferi," tha zonja Leskaj.

Valentina Leskaj thotë se “ Politika si ide” nuk është një libër kujtimesh por reflektimi mbi ngjarjet që është përballur shoqëria shqiptare.

Zhvillimet politike, problemet sociale, kultura politike, gjuha e urrejtjes dhe feminizmi janë disa nga çështjet që trajtohen në libër.

"Jam ulur të shkruaj këtë libër 3 vjet pasi jam larguar nga politika dhe jo pa qëllim sepse unë besoj që një distancë në kohë të jep mundësinë pse jo për një gjykim më distant edhe më të ftohtë," tha ish-deputetja.

Libri u promovua në praninë e shumë prej miqve që e kanë shoqëruar ish-deputeten në rrugëtimin e saj politik dhe jo vetëm.

EMISIONET