Hapja e negociatave, Çipa: Është koha që lufta në Ukrainë të tregojë rëndësinë e integrimit në BE

Analisti Akri Çipa gjatë një interviste për RTV ORA tha se Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov është shprehur se armatimet që janë dërguar në Ukrainë shiten më pas në tregun e zi.

Sipas Çipës, Lavrov ka përmendur Shqipërinë dhe Kosovën si vende në të cilat kalojnë këto materiale.

Akri Çipa:  Në qoftë se shikojmë deklaratat e Ministrisë së Jashtme qoftë dhe të ministrit Lavrov në mënyrë të përsëritur i është referuar Shqipërisë dhe Kosovës për idenë e mercenarëve të cilët po shkonin në mënyrë të shumtë. Që po shkonin nga territoret europiane duke specifikuar Ballkanin, Shqipërinë e Kosovën bashkë me Maqedoninë e Veriut. Rishtaz i është referuar edhe faktit që armatimet që janë dërguar në Ukrainë shiten më pas në tregun e zi. Dhe aty Ministria e Jashtme ka përmendur Kosovën dhe Shqipërinë si vende në të cilat kalojnë këto materiale.

Analisti Çipa e sheh këtë në kontekstin e një dezinformimi që përpiqet të shpërndajë Rusia duke u përpjekur të ndryshojë kuptimin mbi luftën në Ukrainë.

"Duhet parë në kontekstin më të gjërë të një dezinformimi që përpiqet të shpërndajë Rusia duke u përpjekur të ndryshojë çdo mundësi për të kuptuar të vërtetën në terren, për të kuptuar se si është shkalla e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe për të krijuar një lloj situate ku përpiqet ta tregojë si një luftë të Rusisë ndaj gjithë perëndimit", tha Çipa. 

Sa i takon hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE, Çipa thotë se është koha që lufta në Ukrainë të tregojë rëndësinë e integrimit në bllokun europian.

EMISIONET