Integrimi i Shqipërisë në BE/ Caktohet konferenca e tretë ndërqeveritare në Bruksel, ja kapituj që hapen

Integrimi i Shqipërisë në BE/ Caktohet konferenca e tretë

Bashkimi Evropian ka miratuar Pozicionin e Përbashkët për Klasterin 6, që lidhet me Marrëdhëniet e Jashtme.

BE ka vendosur që më 17 dhjetor të mbahet konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë.

Lajmi është konfirmuar nga Presidenca hungareze e BE-së.

“Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar Pozicionin e Përbashkët të BE-së për Klasterin 6: Marrëdhëniet e Jashtme, duke hapur rrugën për mbajtjen e konferencës së tretë ndërqeveritare me Shqipërinë më 17 dhjetor. Kjo konferencë, e dyta gjatë presidencës hungareze, pasqyron angazhimin e BE-së për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit për vendet kandidate", thuhet në reagimin e Presidencës hungareze të BE-së.

Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Klasterin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke përfshirë kapitujt e mëposhtëm negociues:

Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme

Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.

BE ka hapur tashmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë për Klasterin 1: Bazat.

EMISIONET