"Injoranca prodhon trima pa arsye", Dragoti: Atu ku ligji nuk vepron fort, vetëgjyqësia merr përparësi

Një konflikt banal mes dy mësueseve të shkollës Andon Zako Çajupi në kryeqytet është bërë shkak për një konflikt fizik dhe përdorimin e armëve fare pranë institucionit arsimor dy ditë më parë (11 tetor).

Gjatë 24 orëve të fundit, 3 të rinj kanë mbetur të plagosur në kryeqytet. Ngjarjet ende janë pa autor, ndërsa policia shprehet se po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre

Sociologu dhe psikologu, Edmond Dragoti në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora Neës me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se rasti i dhunës së dy mësuesve është i patolerueshëm pasi mësuesit janë intelektualë të cilët duhet të përçojnë edukatë dhe qetësi. Sipas tij kur konflikti nuk zgjidhet në mënyrë individuale, por përfshihen persona të tjerë atëherë zgjidhja është më e vështirë.

Dragoti: "Rasti i mësuesve është i papranueshëm sepse ato reflektojnë edukimin e fëmijëve. Ato duhet t'i transmetojnë qetësinë, tolerancën, kulturën dhe kur dy mësuese e gjenerojnë më tej problemin jo vetëm që nuk e zgjidhin, por e masivizojnë, e shtrijnë dhe në komunitet kjo do të thotë që janë agresive në kuptimin e shtrirjes së konfliktit. Në raste kur përfshihet fisi në zgjidhjen e konfliktit, atëherë është shumë e vështirë. Grupi vepron mbi bazë emocionale dhe jo mbi bazën e arsyes dhe kur nuk kemi zgjidhje individuale por zgjidhje grupore pasojat janë të rrezikshme. Pjesa morale e konfliktit të mësuesve është me pasoja më të mëdha sepse ato i përkasin një shtrese intelektuale që duhet të përçojnë kulturën e qetësisë. Ato janë të rrezikshme për edukimin e fëmijëve."

Sipas psikologut, injoranca krijon trima pa arsye. Nëse dikujt i mungon kultura e mjaftueshme për të ekuilibruar veten, sipas Dragotit ai del jashtë vetes dhe bëhet i rrezikshëm për të tjerët.

Dragoti: "Injoranca në shumë raste është motivi kryesor i përplasjes së njerëzve. Injoranca krijon trima, trima pa arsye në kuptimin që injoranca sjell krimin sepse e  kthen agresivitetin në krim, e bën shumë të rrezikshëm tek individi. Individit kur i mungon kultura e mjaftueshme për të ekuilibruar veten del jashtë kontrollit dhe padyshim që bëhet i rrezikshëm për të tjerët."

Përsa i përket 3 plagosjeve të 24 orëve të fundit dhe ngjarjeve të tjera kriminale, Dragoti u shpreh se aty ku ligji nuk vepron fort, atëherë vetëgjyqësia merr përparësi.

Dragoti: "Atje ku ligji nuk vepron fort  dhe kur situata nuk është nën kontroll të plotë atëherë vetëgjyqësia merr përparësi. Nuk e kam parasysh saktë, por ata persona që janë të përfshirë në trafiqe apo veprimtari kriminale janë gjithmonë të rrezikuar të viktimizohen. Konflikte të kësaj natyre kërkojnë një njohje më të thellë të realitetit ku jetojmë nga ana e strukturave dhe institucioneve përkatëse, ato kërkojnë monitorim dhe menaxhimin e veprimeve të tyre në mënyrë që ndalimi i këtyre veprimeve kriminale padyshim që sjell dhe mundësinë për të kontrolluar krimet në rrugë."

Në përfundim ai shtoi se njerëzit janë të prirur të mësojnë më shumë kur ndëshkohen se sa kur shpërblehen për veprimin që kanë bërë. Kjo, sipas tij shpjegon dhe faktin pse njerëzit priren të jenë mosmirënjohës në jetë dhe jo mirënjohës. Kjo lidhet me nivelin e zhvillimit kulturor të njeriut.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online xhuljana Zhuleku

EMISIONET