"Incineratori i Tiranës do hetohet deri në fund", Kraja: Përgjegjësit para ligjit! Arratisja e pronarëve? Shefi i SPAK: Ka dënim dhe në mungesë

Përkundër akuzave të opozitës për veprim të ngadaltë, SPAK thotë mbetet i vendosur për hetimin deri në fund të aferës së incineratorëve.

Kreu i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se po punohet për dosjet, po mblidhen prova dhe ata që kanë përgjegjësi do të vendosen përpara ligjit.

Kraja: Çështja e incineratorëve është komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione që kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti është një volum i madh pune. Ne kemi 3 hetime penale për tre incineratorë, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën.  Për dy të parët në kemi arritur disa konkluzione, që janë publike. Kemi ngritur përgjegjësi penale për disa persona, përfshire edhe zyrtarë, dhe hetimet për incineratorin e Tiranës do të vazhdojnë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe do përgjigjet kushdo që ka shkelur ligjin.

Pyetje: Si e shpjegoni ju faktin se pronarët e kompanive që administronin impiantet e trajtimit të mbetjeve arritën të largoheshin përpara se të dilnin urdhër-arrestet?

Kraja: Është një çështje që duhet sqaruar. Problemi është se janë qytetarë të lirë dhe deri në momentin që del një masë sigurimi nga gjykata njerëzit lëvizin lirdhësh, mund të jenë dhe jashtë vendit dhe diku tjetër. Nganjëherë kur kërkohen nuk arrihet të kapen dot se fshihen. Është pjesë e hetimit kjo. Por e rëndësishme është që kjo nuk pengon që të vazhdojmë hetimet. Në Shqipëri ndjekja penale ushtrohet dhe në mungesë të personit, ka dhe vendim gjyqësor përfundimtar në mungesë të tij, kushdo që të jetë ai.

Pyetje: Prej një kohe të gjatë keni nisur hetime për disa nga koncesionet në shëndetësi si sterilizimi, chekp up apo ai i laboratorëve. Po me këto dosje çfarë po ndodh?

Kraja: Po punohet intensivisht, sidomos tani pasi është plotësuar numri i hetuesve të Byrosë Kmbëtare të Hetimit për të mbledhur provat e nevojshme dhe për të sqaruar çfarë ka ndodhur, ka përgjegjësi njeri apo jo? Ai që ka përgjegjësi do përgjigjet para ligjit, kushdo që të jetë.

Sa i takon personave të shpallur non grata nga SHBA, Kraja u shpreh se problemi i korrupsionit në Ballkan, por edhe në Shqipëri është një problem mjaft shqetësues.

Kraja: Problemi i korrupsionit në Ballkan, por edhe në Shqipëri është një problem mjaft shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë që janë përfshirë në fenomene korrupsioni dhe për këtë shqetësim në Shqipëri është krijuar një reformë. Është krijuar një strukturë e re, janë ndryshuar shumë ligje dhe kemi dy vite e gjysmë që punojmë për ngritjen e strukturës dhe vijimin e punës.

Padyshim ne bashkëpunojmë me të gjitha strukturat homologe edhe jashtë vendit. Ne kishim një takim me koordinatorin global kundër korrupsionit të emëruar nga sekretari Blinken dhe shkëmbyem mendime për të rritur më tej luftën ndaj korrupsionit. SPAK ka shumë çështje penale në hetim, të bëra publike ose jo. Ne jemi të vendosur për çdo çështje që përfshin zyrtarë të lartë tu shkojmë deri në fund dhe t’i vëmë para përgjegjësisë.

Lidhur me vizitën në SHBA, Kraja u shpreh se qëllimi ishte që të prezantohej puna e bërë deri tani nga SPAK.

EMISIONET